ekonomi:Lajme
Postuar më: 16 Shkurt 2013 / 10:41

Shpërndarje diskriminuese

Shpërndarje diskriminuese
0

Shpërndarja e investimeve kapitale nga niveli qendror në atë lokal është duke u bërë në mënyrë joproporcionale, duke u dhënë prioritet komunave të drejtuara nga partia në pushtet.

Këto vlerësime dolën gjatë një tryezë të organizuara nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën “Financat e pushtetit lokal – shpërndarja e investimeve kapitale nga niveli qendror në atë lokal”, shkruan Express.

Në një hulumtim të bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës thuhet se subjektet politike në opozitë, të cilat udhëheqin një numër të madh të komunave në Kosovë, në vazhdimësi kanë shprehur pakënaqësi lidhur me shpërndarjen e investimeve kapitale nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministria e Infrastrukturës. Hykmete Bajrami, nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke krahasuar investimet kapitale të këtyre dy ministrive nëpër komunat e Kosovës, thekson se dallimet janë shumë të mëdha në shpërndarje, duke privilegjuar disa komuna dhe, në anën tjetër, duke anashkaluar shumë të tjera.

Zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, thotë se ka shumë raste kur komunat nuk ofrojnë projekte për bashkëfinancim, ose drejtohen vetëm me projekte ideore, duke mos pasur asnjë sqarim.

KDI-ja, përveç tjerash, në raport thekson se komunat nuk kanë buxhet të mjaftueshëm nga të hyrat, të cilat i mbledhin vetë dhe varen nga fondet, që i ndan niveli qendror.

Në mënyrë që komunat të jenë të pavarura financiarisht, KDI-ja rekomandon komunat që të shtojnë efikasitetin e mbledhjes së të hyrave të tyre, veçanërisht tatimit në pronë. Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se komunat e Kosovës duhet të kenë autonomi të plotë për strukturën e personelit, por që ky parim nuk zbatohet në Kosovë. Ndryshe, nga 1 miliard e 586 milionë euro, nga buxheti i këtij viti, 621 milionë euro janë planifikuar për investime kapitale. /Telegrafi/
 



0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka