ekonomi:Lajme
Postuar më: 22 December 2012 / 20:00

Shqipëria anulon tenderin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën

Shqipëria anulon tenderin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën
0

Top Channel ka transmetuar se ka dokumentet zyrtare ku konsulenti njofton kompanitë private se Qeveria e ka anuluar lotin e parë të tenderit. Vendimi është komunikuar një ditë më parë. Qeveria nuk u tërhoq nga vendimi i saj për të mos anuluar tenderin pavarësisht presioneve të forta që pati nga banka gjermane KFW, e cila financon projektin.

Saga e tenderit ka nisur që në mars të vitit të kaluar kur Qeveria zhvilloi tenderin për ndërtimin e linjës. Formula e paracaktuar e vlerësimit nxori fituese një kompani kroate, por sapo KFW njoftoi fituesin Qeveria bllokoi procesin, pasi çmimi i fituesit ishte 8 milionë euron më i lartë se vendi i dytë. Bllokimi u kundërshtua nga banka gjermane, e cila i kërkoi qeverisë të vazhdojë me nënshkrimin e kontratës dhe të mos e anulojë tenderin, por pa rezultat.

Që nga ajo kohë mes Qeverisë dhe KFW ka pasur një sërë letërkëmbimesh mbi këtë konflikt. Muajt e fundit banka gjermane, pranoi anulimin e tenderit, por në këmbim të disa kushteve, ku më kryesori ishte ai që Qeveria, saktësisht Ministria e Financave të pranonte rezultatin e tenderit të dytë, cilido të ishte ai.

Por, Ministria e Financave, në rolin e huamarrësit nuk e pranoi dhe ka vendosur prishjen e tenderit në mënyrë të njëanshme, çka duket se do rrezikojë financimin e tij nga banka gjermane, e cila më parë kishte paralajmëruar se do të tërhiqej nëse Qeveria nuk pranon kushtin.

Me këtë vendim ndërtimi i linjës brenda territorit të Shqipërisë rrezikon të mbetet i bllokuar edhe për disa vite të tjera. Opozita ka akuzuar në më shumë se një rast se bllokimi është i qëllimshëm nga Qeveria për të favorizuar sipas saj monopolin serb në tregun shqiptar të energjisë. /Telegrafi/
 

0 komente