ekonomi:Lajme
Postuar më: 13 December 2012 / 09:52

Shqyrtohet projektbuxheti i vitit 2013

Shqyrtohet projektbuxheti i vitit 2013
0

Në buxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm janë planifikuar të hyrat e përgjithshme prej 1 miliard e 423 milionë euro, kurse shpenzimet prej 1 miliard e 586 milionë eurosh.

Pavarësisht kundërshtimeve të dy partive opozitare, LDK-së dhe Vetëvendosjes, ky dokument ishte miratuar në lexim të parë me votat e koalicionit qeverisës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka thënë se buxheti i vitit 2013 është buxhet i zhvillimit të shtetit të Kosovës, që parasheh ngritjen e mirëqenies sociale, si dhe vazhdimin e investimeve kapitale. Sipas tij në vitin 2013 norma e rritjes ekonomike do të jetë ndër më të lartat në rajon, 4.5 për qind, si reflektim i projeksionit për rritje të Konsumit, Investimeve dhe eksporteve.

Por, përfaqësuesit e partive opozitare, LDK-së dhe Vetëvendosjes gjatë leximit të parë e kundërshtuan këtë projektbuxhet, duke e vlerësuar të dëmshëm për vendin. Përfaqësues të LDK-së, kishin kërkuar ndarje të drejtë nëpër komuna, kurse ata të Vetëvendosjes kishin thënë se ky projektbuxhet nuk ka kurrfarë koncepti për zhvillim, raporton Radio Kosova.

Sidoqoftë me buxhetin e vitit të ardhshëm investimet kapitale parashihen në vlerë 621 milionë euro, 40 për qind e të cilave do të dedikohen për projektin e autostradës Morinë Merdar, kurse 30 milionë për fillimin e autostradës së re në drejtim të Hanit të Elezit. Në buxhetin e Kosovës për vitin e ardhshëm janë planifikuar të hyrat e përgjithshme prej 1 miliard e 423 milionë euro, me një rritje prej 3 për qind krahasuar me këtë vit, kurse shpenzimet prej 1 miliard e 586 milionë eurosh, me një rritje prej 4 për qind.

Të hyrat doganore parashihet të jenë 915 milionë euro, kurse ato vendore 301 milionë euro. Ndërkaq deficiti primar është parashikuar të mbulohet nga bartjet e këtij viti. /Telegrafi/

0 komente