ekonomi:Lajme
Postuar më: 26 December 2012 / 17:01

Sistemi doganor i Kosovës do të mbetet unik

Sistemi doganor i Kosovës do të mbetet unik
0

Telegrafi: Sa do të realizojë Dogana planin për mbledhjen e të hyrave dhe cilat kanë qenë sfidat gjatë 2012? 

Huruglica: Deri javën e parë të janarit, nuk do të jemi në gjendje të dimë saktësisht shumën e mjeteve të grumbulluara, pasi taksat mund të paguhen deri ora 24:00 të datës 31 dhjetor. Pritjet janë që do t’i ofrohemi shumë afër projeksioneve buxhetore diku me 98 për qind, kurse kjo paraqet një rritje prej 3 për qind krahasuar me vitin paraprak. Sfidë gjatë këtij viti ka vazhduar të jetë veriu i Kosovës, për shkak të vështirësive reale për ndalimin e kontrabandës së mallrave.

Telegrafi: A është ulur kontrabanda dhe cilat pika kufitare keni zënë kontrabandës nëpër rrugë alternative?
Huruglica: Ne besojmë se niveli i kontrabandës është ulur dukshëm. Përmes shkëmbimit elektronik të të dhënave me shtetet fqinje, ne po arrijmë të identifikojmë se a ka dallime në mes të vlerave eksportuese nga këto vende, me ato të deklaruara në import tek ne. Raportet janë inkurajuese, pasi niveli i evazionit fiskal përmes rrugëve kryesore, thuajse ka ra në zero. Ka raste kur mallra të caktuara ndalohen duke u futur rrugëve malore alternative, por vlera dhe sasia e tyre nuk është e madhe.

Telegrafi: Cilat mallra kontrabandohen më së shumti, me theks të veçantë në veri të vendit?
Huruglica: Mallrat më të kontrabanduara viteve të fundit kanë qenë nafta dhe karburantet e saja. Pas veprimit të ndërmarrë me 25 korrik të vitit 2011, kontrabanda ka pësuar një rënie të ndjeshme edhe pse akoma ka qene prezente.

Telegrafi: Si po shkon aplikimi i marrëveshjes së IBM-së. A do të jetë Kosova Sistem Unik Doganor?
Huruglica:
Zbatimi i marrëveshjes për MIK po shkon mirë, me përjashtim të disa vështirësive në vendkalimin kufitar në Jarinjë. Infrastruktura në këtë vendkalim kufitar akoma nuk është kompletuar, çka po sjellë vështirësi në kryerjen e detyrave tona. Kosova që nga viti 1999 ka një sistem unik doganor dhe i njëjti vazhdon dhe do të vazhdoj të funksionoj. Kosovën si territor të pavarur doganor e kanë njohur edhe vendet që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë. Kjo asnjëherë nuk mund të vihet në dyshim.

Telegrafi: A është treguar i suksesshme vendimi i Qeverisë për të lejuar importimin e veturave deri më 13 vjet?
Huruglica:
Vendimi i Qeverisë ka të bëjë me lejimin e importit të veturave të vjetra deri 13 vjet, ka pasur një rritje në importin e veturave edhe pse jo në shifrat që është menduar. Pasi që ky vendim ka hyrën në fuqi gjysmën e vitit të kaluar, vetëm këtë vit kemi pasur një vit të plotë të implementimit të vendimit. Deri në fund të nëntorit, janë grumbulluar 36 milionë euro.

Telegrafi: Në çfarë do të jetë e orientuar Dogana gjatë vitit 2013?
Huruglica:
Dogana e Kosovës do të jetë e orientuar edhe me tutje ne modernizimin e saj. Do të punojmë edhe më shumë në ofrimin e lehtësirave për biznesin, me çka do të krijojmë kushte për afarizëm më të lehtë. Krijimi i kushteve për qarkullim me të lehtë të mallrave, sidomos për prodhuesit dhe përpunuesit e atyre mallrave, do të ndikoj në ngritjen ekonomike të vendit. Ne besojmë se në këtë mënyrë, do të rritet edhe mundësia për inkasimin e drejtë dhe të saktë të obligimeve doganore. /L.Ahmeti/Telegrafi/
 

0 komente