ekonomi:Lajme
Postuar më: 11 April 2013 / 16:22

Të kënaqur me përkrahjen e Ministrisë së Bujqësisë

Të kënaqur me përkrahjen e Ministrisë së Bujqësisë
0

Për kryetarin e shoqatës “Bashkimi i Shoqatave Bujqësore të Kosovës”, Agim Sahiti, kjo është edhe një shenjë që tregon se fermerët nga viti në vit po arrijnë të jenë pjesë e programeve zhvillimore të Ministrisë së Bujqësisë, gjë e cila po ndikon edhe në avancimin e fermerëve në veprimtaritë e tyre bujqësore. “Mbështetja e cila është dhënë viteve të fundit për sektorin e bujqësisë, ka ndikuar dukshëm në nxitjen e fermerëve për t’u marrë me veprimtaritë bujqësore, e madje edhe për të rritur prodhimtarinë në këtë sektor. Po ashtu me rritjen e mbështetjes është rritur edhe numri i përfituesve”, thotë kryetari Sahiti.

Sipas tij, ky sektor ka ende nevojë për mbështetjen e institucioneve vendore, por se e gjithë kjo po varet edhe nga buxheti, të cilin e ndan Qeveria e Kosovës për këtë sektor. “Ne do të jemi një zë i fuqishëm i fermerëve, pasi nevojat dhe kërkesat e tyre do t’i adresojmë tek çdo institucion që e mbështet këtë sektor”, thotë ai.

Ndërsa, për zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë rëndësi ka mbarëvajtja e proceseve dhe përkrahja e fermerëve meritorë. Sipas zëdhënësit të kësaj ministrie, Adil Behramaj, secili fermerë që përfiton është i kënaqur dhe secili që nuk përfiton, mund të ndahet i pakënaqur.

“Kënaqësia dhe pakënaqësia janë relative dhe ndryshojnë, sepse secili fermerë që nuk i plotëson kriteret dhe nuk përfiton mbështetje financiare është i prirur të shpreh pakënaqësi në forma të ndryshme dhe të bëj akuza nga më të rëndat në adresë të institucionit. Këto pakënaqësi pastaj stërtheksohen shpeshherë edhe prej personave të papërgjegjshëm në mjete të informimit apo edhe prej organizatave të ndryshme, që marrin guximin të hartojnë raporte, pa i njohur as proceset elementare, se lëre më specifikat e tjera. Por, të dhënat zyrtare gjithmonë e dëshmojnë të kundërtën”, thotë zëdhënësi Behramaj.

Ai tregoi se në vitin e kaluar kanë aplikuar gjithsej 21672 fermerë, kanë përfituar 19195 prej tyre dhe pakënaqësi përmes ankesave të tyre kanë shprehur vetëm 109 fermerë. Derisa, 146 fermerë, sipas Behramajt, janë tërhequr vet nga investimi, sepse nuk kam mundur ta sigurojnë pjesën që duhet ta vetëfinancojnë.

Ndryshe, në programin e sivjetmë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, do të ketë subvencione në vlerë prej rreth 12 milionë euro për grurë, për farë gruri, për misër, për lulediell, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për pulari, për bletari, për vreshtat ekzistuese, për material fidanor të pemëve dhe për stoqe të verërave.

Ndërsa, përmes granteve investive në vlerë prej rreth 15 milionë euro do të përkrahet prodhimtaria e qumështit, mishit, brojlerëve, vezëve. Pastaj, do të përkrahet edhe prodhimtaria e mjaltës, prodhimtaria e perimeve në fushë të hapur dhe serra, prodhimtaria e mollës dhe pemëve të imta, vreshtaria, bimët mjekuese. Gjithashtu, si nënmasë e veçantë do të jetë edhe përkrahja e fermerëve në mekanizëm bujqësor, në agropërpunim, pastaj përkrahja për zonat rurale më pak të zhvilluara dhe ajo për projektet publiko-private të Grupeve Lokale të Veprimit. /Telegrafi/

0 komente