ekonomi:Lajme
Postuar më: 13 Shkurt 2013 / 11:05

Të ndihmohet sektori privat

Të ndihmohet sektori privat
0

Kryeministri Hashim Thaçi ka përgëzuar të mërkurën Këshillin Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik për sukseset e arritura në fuqizimin e sektorit privat. Ai tha se ky këshill duhet të vazhdojë të ndihmojë sektorin privat në krijimin e partneriteteve me ndërmarrje ndërkombëtare, duke rritur kështu investimet e huaja në vend.

“E inkurajoj që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me ekspertë të pavarur në identifikimin e mundësive zhvillimore dhe përparësive krahasuese të Republikës së Kosovës. E inkurajoj që përmes punës së tij të ndihmojë që komuniteti i biznesit të përforcojë besimin e tij në institucionet shtetërore”, tha kryeministri Thaçi në takimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik.

Ai tha se ngritja e mirëqenies sociale dhe materiale e qytetarëve duhet të jetë synimi strategjik, si dhe obligimi ligjor dhe moral i çdo qeverie. ”Qeveria vazhdimisht është angazhuar që përmes ngarkesës më të vogël tatimore të stimulojë zgjerimin dhe fuqizimin e sektorit privat dhe kështu të përshpejtojë rritjen dhe zhvillimin ekonomik në vend. Duke u bazuar në suksesin e reformës fiskale të vitit 2009, vjet Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar zbatimin e një pakoje të re fiskale me qëllim nxitjen e sektorit privat”.

Kryeministri Thaçi po ashtu ka folur edhe për investimet Kapitale të cilat janë duke u realizuar nga ana e Qeverisë së Kosovës. “Qeveria ka rritur vazhdimisht investimet kapitale me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore. Shumë shpejt do të përfundohet rruga R7. Sa i përket rrugës R6 Prishtinë-Shkup, përgatitjet veç ka filluar”. /Telegrafi/



0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka