ekonomi:Lajme
Postuar më: 1 February 2013 / 16:14

Termocentralet me qymyr, vdekjeprurëse

Termocentralet me qymyr, vdekjeprurëse
0

Nezir Sinani nga KOSID, ka thënë se në shtator të vitit të kaluar Banka Botërore kishte lëshuar një studim mbi ndotjen e mjedisit në Kosovë, ku fokus i veçantë i jepej ndikimit të ndotjes në shëndetin e njeriut.

Këto të dhëna sipas Sinanit, janë alarmante për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në këtë aspekt ai tha se shoqëria civile e ka analizuar një studim të tillë dhe ka kërkuar edhe përgjigje shtesë nga institucionet relevante, se pse edhe me këtë dëm që po i bëhet popullatës po insistojnë në ndërtimin e një termocentrali të ri. “Raporti në fakt ka vlerësuar se në vitin 2010 si pasoi e ndotjes së ajrit nga djegia e qymyrit si pasoi janë regjistruar 835 vdekje të parakohshme, ka pas 310 raste të reja të bronkitit kronik, 22 mijë e 900 raste të reja të sëmundjeve respiratorë ndër fëmijë. 11 mijë e 600 vizita emergjente nëpër spitalet e vendit dhe krejt kjo qytetarëve të Kosovës i ka kushtuar më shumë se 100 milionë euro shpenzime, vetëm brenda një viti për t’u shëruar nga ndikimet e ndotjes së ajrit në shëndetin e tyre”, ka thënë Sinani.

Për t’i dëshmuar këto të dhëna Shoqata re Pulmologëve të Kosovës, ka bërë një studim të detajuar, duke krahasuar regjionin e Prishtinës me atë të Prizrenit, mbi incidencën e sëmundjes së kancerit të mushkërive.

Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë së QKUK-së, Gazmend Zhuri ka thënë se gjatë këtij studimi kanë vënë në pah se prevalenca e sëmundjes së kancerit të mushkërive në regjionin e Prishtinës është dyfish më e madhe krahasuar me atë të Prizrenit. “Kemi krahasuar të dhënat mbi kancerin e mushkërive, sëmundje e cila është jashtëzakonisht me incidencë të lartë në regjionin e Prishtinës posaçërisht. Ky studim është bërë nga viti 2006 deri në vitin 2010 dhe kemi konstatuar se në regjionin e Prishtinës që përfshinë, Prishtinën, Obiliqin, Podujevën dhe fshatrat për rreth, ekziston një numër më i madh i pacientëve të cilët kanë sëmundjen e kancerit të mushkërive. Diku dyfish është numri më i madh se në regjionin e Prizrenin”, ka thënë ai.

Fushata mediale, e cila do të transmetohet në televizionet nacionale, është punuar me përkrahjen nga Asociacioni Amerikan i Pulmologëve, Asociacioni Kosovar i Pulmologëve, Sierra Club, European Climate Foundation dhe Forumi për Iniciativa Qytetare. /Telegrafi/

0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka