ekonomi:Lajme
Postuar më: 16 Janar 2013 / 12:38

Trusti 54 milionë euro kthimi nga investimet në 2012

Trusti 54 milionë euro kthimi nga investimet në 2012
0

Përfaqësuesit e Trusti kanë bërë të ditur se vlera e çmimit të aksionit në fillim të vitit 2012 ka qenë1.0347 dhe në fund të vitit ka arritur në 1.1170 euro.

Strategjia investuese e Bordit Udhëheqës për të plasuar deri në 40 për qind të mjeteve në tregun e aksioneve dhe deri në 60 për qind në tregun e instrumenteve me kthim absolut dhe ato me target inflacionin, bashkë me përzgjedhjen e menaxhuesve të mjeteve, janë dëshmuar të jenë të suksesshme dhe kanë dhënë rezultate pozitive në investime.

“Edhe në 2012 numri i përfituesve të rinj të pensionit vazhdoi të rritet. Përfitues të rinj të pensionit në 2012 ishin 3.264 kontribuues, nga 2.868 që ishin një vit më parë. Kurse vlera e mjeteve të shpërndara për këta përfitues ishte rreth 8.2 milionë euro, e rritur nga rreth 5.7 milionë sa ishte në 2011. Kurse totali i mjeteve të shpërndara për pension, duke përfshirë edhe pagesat e mbetura, ishte rreth 8.5 milionë euro”.

Ndërsa, qysh prej themelimit të FKPK-së e deri në fund të 2012, numri i të pensionuarve arriti në 16.936, dhe vlera e përgjithshme e mjeteve të shpërndara për këta përfitues shkoi në mbi 27 milionë euro.

Kurse sipas të dhënave të bazuar në parimin e keshit vlera e mjeteve nën menaxhim në fund të 2012-s arriti në mbi 740 milionë euro. “Rritja është 152 milionë euro në krahasim me fundvitin 2011 kur ishin 588 milionë euro. Kjo, gjithashtu, është edhe rritja më e madhe e mjeteve nën menaxhim qysh prej themelimit të Fondit të Kursimeve Pensionale. Në këtë rritje ndikuan kontributet e paguara në 2012 me 113 milionë euro, kthimi nga investimet me 54 milionë euro, ndërsa 15 milionë euro ishin daljet për pagesa të pensioneve e refondimeve, si dhe taksa menaxhuese e FKPK-së”, thuhet në komunikatën për media të Trustit.

Po ashtu gjatë vitit 2012 janë investuar për herë të parë në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës rreth 14 milionë euro. /Telegrafi/
 



0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka