ekonomi:Lajme
Postuar më: 4 Qershor 2013 / 11:26

Vazhdojnë allishverishet me tenderë!

Vazhdojnë allishverishet me tenderë!
0

Burime të sigurta të gazetës Zëri kanë konfirmuar në kushte anonimiteti (emri i të cilit është i njohur për redaksinë) se ky tender është shoqëruar me tentativa për mitmarrje, por më në fund janë arritur marrëveshjet dhe për këtë paraprakisht janë ditur fituesit.

“Tenderët janë fituar nga ana që kanë dhënë ryshfetin më të madh”, ka thënë ky burim, i cili qysh tre ditë më parë i ka konfirmuar gazetës “Zëri” se paraprakisht dihen fituesit dhe çështja e këtij tenderi është muhabet i kryer.

I njëjti ka sqaruar se për këtë projekt, gjegjësisht Lotin 1 fitues është shpallur konsorciumi i kompanive nga Shqipëria "Pevlaku & Gjoka Konstruksion" të cilat kanë ofruar çmimin prej 2.263.938,45 euro, edhe pse ai ka theksuar se në këtë pjesë kanë qenë gjashtë kompani të tjera më të lira dhe dallimi në shumën e parave ka qenë jo më i vogël se afro gjysmë milioni euro.

“Për këtë pjesë kanë qenë 6 kompani që kanë ofruar çmimin më të ulët, sikurse kompania ‘Integral $ Millenium’ që ka ofruar 1,807,617.30 euro, pastaj ‘Rukolli & Bageri’ në vlerë prej 1,880,670.61 euro, ‘Alko-Impex’ 1,977,777.03 euro….etj”, ka thënë ai.

Po i njëjti burim ka konfirmuar se në Lotin 2 është shpallur fitues Kompania “Beni- Com” nga Prishtina me çmim prej 4.869.943,01 euro, ndërkohë që, sipas tij, edhe këtu janë tri kompani që kanë ofruar çmimin më të lirë dhe dallimi në çmim sillet hiç më pak se gati gjysmë milioni euro.

“Edhe këtu kanë qenë disa oferta të kompanive që kanë ofruar çmimin më të ulët, sikurse ‘Alko-Impex’ që ka ofruar 4,403,094.67 euro, pastaj ‘Sallahu’ 4,483,739.74 euro, ‘Integral & Millenium’ 4,516,727.04 euro”, ka bërë të ditur ai.

I njëjti ka konfirmuar se në Lotin 3 është shpallur fitues Konsorciumi i Kompanive "Rukolli" nga Skenderaj dhe Kompanisë "Bageri" nga Ferizaj, të cilat kanë ofruar çmimin prej 3.825.397,61 euro. “Edhe në këtë pjesë kanë qenë dy kompani të tjera që kanë ofruar çmimin më të lirë për afro 300 mijë euro”, ka thënë ai.

Për Lotin 3, kompanitë që kanë ofruar çmimin më të ulët kanë qenë “Alko-Impex” në shumë prej 3,538,988.93 eurosh dhe “Integral & Millenium” në vlerë prej 3,799,033.20 eurosh. Sipas një përllogaritje, ka thënë ai, del se Ministria e Infrastrukturës me këtë rast ka dëmtuar Buxhetin e Kosovës hiç më pak se rreth 1 milion e 300 mijë euro.

Ky burim, ndërkaq thotë se kanë qenë pikërisht pazarllëqet e bëra që kanë çuar edhe deri të vonesa e shpalljes së fituesit të tenderit. “Tenderi është hapur më 16.04.2013 dhe sipas ligjit të prokurimit brenda 30 ditëve duhet të shpallet, vetëm në raste të jashtëzakonshme mund të shtyhet edhe për 10 ditë, gjë që në këtë rast edhe ka bërë një shkelje tjetër”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, shefi i Zyrës së Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, ka sqaruar se Komisionet për vlerësimin e ofertave kanë shpallur fitues kompanitë e përgjegjshme që kanë plotësuar kërkesat minimale në përputhje me kapacitetet teknike, profesionale dhe financiare të përcaktuara në njoftimin për kontratë.

“Për secilin nga lotet është shpërblyer kompania më e lirë e përgjegjshme sipas kushteve dhe kritereve të dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë. Por kompanitë të cilat janë shpallur të papërgjegjshme janë njoftuar me shkrim saktësisht mbi arsyet e eliminimit, dhe të njëjtat kanë mjetet juridike në dispozicion brenda afatit të përcaktuar me ligj”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqit, për projektin “Zgjerimi i rrugës M2-Milloshevë-Segmenti Milloshevë-Vushtrri (sektori: Milloshevë-Lum i Madh), Lot 1, Lot 2 dhe Lot 3”, Autoriteti Kontraktues ka zhvilluar të gjitha procedurat e prokurimit në përputhje të plotë me Ligjin e Prokurimit Publik Nr. 04/L-042. Mirëpo, burimi i gazetës ka konfirmuar se vlera e madhe e tenderëve dhe parregullsitë që e kanë shoqëruar këtë proces të tenderimit për “Zgjerimin e Rrugës M2 – Milloshevë-Segmenti: Milloshevë-Vushtrri (sektori: Milloshevë-Lum i Madh), Lot1, Lot2 dhe Lot3“, kanë bërë që me këtë tender të merret edhe EULEX-i.

Sipas tij, ditën e premte edhe EULEX është informuar për parregullsitë dhe, siç pohoi ai, shumë shpejt pritet të nisin hetimet. Lidhur me këtë çështje, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, tha se “EULEX u kthen përgjigje vetëm palëve”.

Në anën tjetër, Avni Zogiani nga “Çohu”, thotë se nëse kushti ka qenë që duhet kompania me çmimin më të ulët, atëherë ka dyshime se ata që janë të përfshirë në përzgjedhjen e ofertuesve kanë pasur një motiv që mund të quhet korruptim./Telegrafi/



0 komente
Lajmet e fundit nga TEB Banka