LDK, perspektiva ekonomike e zymtë
Këshilli i Ekspertëve të LDK-së ka publikuar të martën analizën lidhur me “Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2013-2015”, duke vlerësuar se ky dokument konfirmon perspektivën e zymtë ekonomike dhe sociale të vendit. Në vijim po japin tekstin e plotë të kësaj analizë.Sipas kësaj analize, Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2013 - 2015, e përgatitur nga Qeveria Thaçi, është dokument që konfirmon se varfëria do të mbizotërojë edhe më tutje me mijëra familje në asistencë sociale; se situata me energji elektrike nuk do të përmirësohet duke rritur kështu kostot e bizneseve; se arsimi do të vazhdojë të përballet me mungesë të fondeve për paga dhe mjete konkretizuese për arsim kualitativ.
Sipas LDK-së arsimi i mesëm i lartë nuk do të mund të bëhet obligues ashtu siç është premtuar; se shëndetësia do të mbetet dukshëm prapa rajonit me miliona euro, që do të derdhen në spitale nëpër vendet fqinje. Pavarësisht këtyre problemeve, do të investohen qindra miliona euro në autostrada pa asnjë efekt në ekonominë vendore.
“Të gjitha këto probleme zhvillimore që ka Kosova nuk zënë vend në këtë kornizë buxhetore, pasi prioritet kryesor për këtë qeveri është qëndrueshmëria buxhetore që u përkeqësua nga investimet e pavend dhe menaxhimi i keq i parasë publike në tri vitet e fundit”.
Sipas kësaj kornize buxhetore, investimet kapitale do të mbesin në nivelin prej 40 për qind të ndarjeve buxhetore, por harrohen krejtësisht shpenzimet për funksionalizimin dhe mirëmbajtjen e objekteve dhe infrastrukturës tjetër të ndërtuar. “Vlerësimet tregojnë se çdo investim kapital duhet të përcillet me rreth 5 për qind të vlerës së investuar mjete shtesë për mirëmbajtjen e rregullt vjetore të atij investimi. Kështu, nga investimet e paplanifikuara, segmenti i autostradës nga Morina deri në Suharekë ka mbetur pa mirëmbajtje dhe po dëmtohet çdo ditë, shumë shkolla nuk janë funksionalizuar ngase mungon inventari dhe nuk ka mjete për mirëmbajtje të tyre”, thonë Ekspertët e LDK-së.
Në kuadër të kësaj kornize, prioritet kryesor vendoset qëndrueshmëria fiskale e buxhetit të shtetit. Por, nuk jepet asnjë vlerësim se si do të kalohet nga mbledhja e të hyrave në kufi përmes doganave, në mbledhjen e tyre brenda ekonomisë. /Telegrafi/