LDK: Qeveria e KEK-u po plaçkisin qytetarët

14:45 / 27.02.2013

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur shqetësimin për gjendjen e krijuar sa i përket faturave të fryra të energjisë elektrike. Avdullah Hoti ekspert i ekonomisë nga LDK ka thënë se për tri javë KEK-u dhe Qeveria nuk bënë asgjë për të adresuar shqetësimet e qytetarëve.

Sipas Hotit, nuk mund të presim që problemin do ta zgjidhin ata të cilët e kanë krijuar atë. "Nuk mund të zgjidhen problemet me konferenca për shtyp që bënë Besim Beqaj, duke i kërcënuar inkasantët e KEK-ut se do të penalizohen. Këta persona më së paku janë fajtor për gjendjen e krijuar. Është gjithashtu e papranueshme edhe deklarimi i numrit dy të qeverisë, i cili me ironi thekson se qytetarët duhet të paguajnë shpenzimet e tyre", theksoi Hoti.

LDK i ka përkujtuar Qeverisë se faturat e fryra të energjisë elektrike janë përafërsisht 3 herë më të larta se pensionet bazike që i merr një qytetar i moshuar, 2 herë më të larta se ndihma sociale që merr një familje e varfër dhe 50 për qind e një page mesatare të një shërbyesi civil. “Këto fatura janë vetëm 5 për qind e pagës që marrin Beqaj dhe Kuçi, prandaj është lehtë për ta të ironizojnë me qytetarë që dalin e protestojnë në shi, duke ju kërkuar atyre të mos përsëritet situata në Bullgari”.

LDK vlerëson se deklarimet e KEK-ut janë të papranueshme. KEK-u ka shqyrtuar rreth 3,000 ankesa të qytetarëve. Prej tyre, 900 kërkesa apo rreth 1/3 sipas KEK-ut janë me gabime, pasi janë faturuar më shumë se sa që është shpenzimi real.

Por, LDK vlerëson se gabim teknik do të ishte sikur nga këto 900 fatura me gabime, të kishte edhe nën faturim, e jo të gjitha mbi faturim. Hoti ka theksua se LDK sqaron se është kjo qeveri që e ka shkaktuar këtë gjendje.

Vitin e kaluar sipas tij ka ndryshuar bazën ligjore, ku është 10 fishuar tantiema për thëngjill nga 0.26 cent në 3 euro për ton të thëngjillit. Kjo siç ka vlerësuar Hoti nënkupton se qytetarët i paguajnë buxhetit të shtetit 3 euro për çdo ton të thëngjillit që nxjerr.

Kjo sipas ekspertëve të LDK-së, është tatim i dyfishtë për qytetarët dhe është në kundërshtim me konventat evropiane. Tantiema në thëngjill sipas Hotit nuk është kosto për prodhimin e energjisë, por është taksë që qytetari përmes KEK-ut ia paguan shtetit. Përveç kësaj, qytetari paguan edhe 16 për qind mbi shpenzimet e energjisë që bënë gjatë muajit si Tatim mbi Vlerën e Shtuar.

Në letrën dërguar Fondit Monetar Ndërkombëtar nga Thaçi, bëhet e qartë se Qeveria dëshiron të mbledhë rreth 6 milionë në buxhet nga qytetarët në emër të tantiemës për thëngjill. Pra, vendosja e kësaj takse mbi thëngjill nga 1 janari 2013 është bërë me qëllim të mbushjes së buxhetit të shtetit.

Kjo ka shtyrë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që të rrisë vitin e kaluar çmimin e energjisë me 9 për qind. Vetëm vendosja e tantiemës e ka rritur çmimin e energjisë me 4 për qind. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.