Lehtësohet ankthi i krizës së Eurozonës
Ministrat e financave të Eurozonës u takuan në Qipro javën e kaluar për të diskutuar krizën e Euros, në kushtet kur trysnia e tregjeve ndërkombëtare ishte lehtësuar në një farë mase. Kostoja e huamarrjes në Spanjë ra gjatë javës, ndërsa rezultatet e zgjedhjeve nga Holanda konfirmuan prirjen pro Bashkimit Evropian. Por në epiqendër të krizës, Greqi, shenjat se kriza ekonomike dhe sociale mund të përfundojë shpejt, janë të pakta.Ministrat e financave të Eurozonës kanë një ndjesi entuziazmi ndërsa mblidhen në Qipro për bisedime për krizën e borxhit.
Një sërë zhvillimesh kanë lehtësuar trysninë e tregjeve. Në Spanjë, borxhi i së cilës kërcënon gjithë Eurozonën, kostoja e huamarrjes për periudha 10 vjeçare ra nga shifra e rrezikshme 7.64 në korrik në rreth 5.5 për qind.
Kjo pasoi deklarimin e Bankës Qendrore Evropiane se do të blinte çdo lloj sasie bonosh thesari të qeverisë spanjolle, nëse Madridi do të aplikonte për një paketë shpëtimi.
Ministri spanjoll i financave Luis De Guindos, nuk dha shumë hollësi kur u pyet nëse do të kërkonte ndihmë financiare nga BE-ja. “Gjatë dy ditëve të ardhshme, do të njoftojmë për vendime të rëndësishme. Spanja duhet të tkurrë deficitin publik, duke e ulur në nivelin që kemi premtuar”.
Simon Tilford, krye-ekonomist në Qendrën për reformë Evropiane thotë se ka ende shumë pengesa përpara. “Banka Qendrore pa dyshim po bën të pamundurën, duke pasur parasysh pengesat politike. Por nuk duhet harruar se blerja e bonove do të jetë e kushtëzuar me nënshkrimin e programeve të shpëtimit, programet e ndryshimeve strukturore”.
Një pengesë tjetër u kapërcye kur gjykata kushtetuese gjermane miratoi Mekanizmin e Stabilitetit Evropian, fondi i përhershëm i shpëtimit i Eurozonës, me vlerë afro 650 miliardë dollarë. /Telegrafi/