Mbështetja e FMN-së për Kosovën është e rëndësishme
Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde në takimin me presidenten e vendit, Atifete Jahjaga ka thënë se Kosova në aspektin teknik është në pozitën më të mirë në Ballkan dhe ka treguar disiplinë institucionale.Sipas njoftimit të Presidencës, Legarde ka thënë se FMN-ja do të vazhdojë ndihmat për Kosovën në projekte të ndryshme dhe është interesuar edhe për projektet në fushën e energjetikës.
Sipas Lagarde nismat rajonale janë të rëndësishme meqë do të mundësonin zhvillimin e gjithë Ballkanit Perëndimor.
Ndërkaq, gjatë këtij takimi presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga se ndihma e FMN-së për Kosovën ka qenë dhe vazhdon të jetë e rëndësishme dhe programet e këtij institucioni financiar, së bashku me ato të partnerëve të tjerë, kanë mundësuar arritjen dhe zbatimin e projekteve të rëndësishme për vendin si dhe qëndrueshmërinë financiare.
Ajo tha se nënshkrimi i marrëveshjes ‘stand by’ me FMN-në do të ndihmojë në përkrahjen e programeve ekonomike të Kosovës që do të mundësojë qëndrueshmërinë fiskale duke mbështetur mekanizmat dhe politikat e nevojshme.
Më tej Jahjaga ka vlerësuar se Kosova po tregon përkushtim në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga marrëveshjet me FMN-në dhe me të gjitha institucionet e tjera financiare ndërkombëtare dhe gjithashtu po dëshmon stabilitet fiskal.
Ajo tha se mbështetja e vazhdueshme e FMN-së për Kosovën është e rëndësishme për të rritur zhvillimin ekonomik të vendit dhe për të krijuar mjedis më të favorshëm për investime.
Jahjaga i ka thënë drejtoreshës së FMN-së se institucionet e Kosovës kanë treguar përkushtimin e tyre duke krijuar kuadrin e nevojshëm ligjor dhe politik që mundëson procesin e përmbylljes së fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë.
Presidentja tha se institucionet e vendit kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm edhe në miratimin e ligjit për bankat dhe mikrofinancat. /Telegrafi/