Mbijetojnë me korrupsion
Një raport i financuar nga Ambasada Amerikane ka gjetur shumë parregullsi me tenderët në Kosovë. Ky raport tregon se kompanitë kosovare po mbijetojnë në treg vetëm duke punuar me tenderët publikë, gjë që po i lidh ato me Qeverinë dhe partitë politike. Si pasojë, po i lihet hapësirë korrupsionit dhe kontrollit nga zyrtarët partiakë.Shumica e firmave në Kosovë, mbijetesën në treg po e lidhin me tenderët që i jep Qeveria e Kosovës. Kjo praktikë, përveçqë po e fut sektorin privat nën sqetullën e Qeverisë, po e inkurajon edhe korrupsionin. Kështu thuhet në raportin “Modelet e ndryshme të (keq) përdorimit të parasë publike”, i hartuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, dhe i cili u financua nga Ambasada amerikane në Kosovë.
Sipas raportit, mosefikasiteti dhe mungesat në makinën e tregut për të ofruar një hapësirë të përshtatshme për sektorin privat, shpesh i drejton firmat drejt tenderëve qeveritarë si e vetmja mundësi për të mbijetuar në treg. Prandaj, çështja e tenderëve publikë është pika që i lidh firmat me Qeverinë dhe partitë politike, duke ofruar hapësirë për korrupsion dhe kontroll nga zyrat partiake, shkruan Expres.
“Tenderimi publik, prandaj, përfaqëson çështjen kyçe ku firmat bëhen të ndjeshme ndaj kontrollit partiak dhe kështu politizohen; duke penguar seriozisht mundësitë e tregut dhe rritjes vetërregulluese të sektorit privat. Është e rëndësishme të theksohet që prokurimi publik në Kosovë mbetet një nga mekanizmat kyçë që kontrollohen vazhdimisht nga partitë politike, pasi kjo duket të jetë mënyra më e besueshme për të shpallur fituese firmat partiake dhe mbështetësit”, thuhet në raport. /Telegrafi/