Mbikëqyrja la ekonominë e dërmuar
Katër vitet e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, kanë brishtuar edhe më shumë ekonominë e shkatërruar të vendit tonë. Ekspertë të ekonomisë në vend, thonë se gjatë kësaj kohe, ekonomia e Kosovës ka qenë në stagnim total.Madje, sipas tyre, në disa momente pas shpalljes së pavarësisë, gjendja ekonomike në vend është rënduar edhe më shumë, për shkak të përmbushjes së obligimeve ndaj Organizatave Ndërkombëtare Financiare, siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, thotë se gjatë katër viteve të fundit në Kosovë nuk ka pasur ndonjë zhvillim të theksuar ekonomik. “Në disa raste të caktuara para shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vendin tonë ka pasur shumë më shumë dinamikë në zhvillimin ekonomik të vendit”, tha ai. Shatri thotë se gjatë kësaj Qeveria e Kosovës është munduar të bëjë aranzhmane për shitjen e Distribucionit dhe Postës dhe Telekomit të Kosovës, por thuajse ka bërë shumë pak në tërheqjen e investimeve të huaja të cilat në vendin tonë janë në rënie e sipër.
Kurse Lumir Abdixhiku, drejtori i Institutit “Riinvest” thotë se janë disa elemente ekonomike brenda pakos gjithëpërfshirëse që edhe pas mbikëqyrjes së përfunduar vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Sipas tij, së pari, relacionet me Serbinë sa i përket borxhit të jashtëm dhe të drejtave në suksesin, nuk janë adresuar siç edhe është paraparë me Pakon e Ahtisaarit. “Edhe pse e thënë në këtë pako se brenda gjashtë muajve pas hyrjes në fuqi është dashur të caktohet një arbitër ndërkombëtar për këto heshtje, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Së dyti, pronat e Kosovës, rreth 172, në vendet e ish-Jugosllavisë vazhdojnë të mbeten pa autoritet tonin. Ne kemi çdo të drejtë ligjore mbi pronat në fjalë. Së treti, sipas pakos ne është dashur të pranojmë dokumentet origjinale të regjistrave kadastralë nga Beograd. Për habinë më të madhe në dialogun e fundit ne kemi pranuar të marrim vetëm kopjet”, tha ai.
Ai thotë se e mira e gjithë procesit të përmbylljes në aspektin ekonomik, është e drejta e shfrytëzimit të rreth 600 milionë eurove nga fondet e privatizimit, të cilat i kalojnë në përgjegjësi institucioneve kosovare.
Edhe Alejtin Berisha, drejtor i kolegjit Universitar “Universum” në Prishtinë thotë se gjatë këtyre katër viteve ekonomia e Kosovës ka ecur me ritme shumë të ngadalta, por sipas tij, kjo ka ndodhur edhe për shkak të krizës financiare globale. “Unë shpresoj dhe besoj së pas mbikëqyrjes vendi ynë do të ndryshojë për të mirë në aspektin ekonomik, pasi edhe investitorët e huaj më nuk do të kenë dilema rreth sigurisë për investime”, tha ai. /Zëri/Telegrafi/