MBPZHR: LDK po shfrytëzon problemet e disa prodhuesve të patates
Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të LDK-së për bujqësinë. Kjo Ministri i ka quajtur reagimet e LDK-së shpifje e që po mundohen ta shfrytëzojnë problemin e disa prej prodhuesve të patates. Ministria e Bujqësisë ka thënë se problemi i patates vjen nga hipërprodhimi e jo nga çmimi referent me Shqipërinë që ka zgjatur rreth një muaj.
“Deklaratat e LDK-së se Ministria e Bujqësisë ka prezantuar kontrata për eksportin e patates janë shpifje të ulëta të tyre, të cilët sikur të kishin njohuri rreth fushëveprimtarisë së MBPZHR-së apo të institucioneve, do ta dinin që ne nuk nënshkruajmë kontrata biznesore në emër të të tjerëve dhe nuk e dimë se çfarë përmban kjo kontratë, e cila është prezantuar dhe nënshkruar nga organizatat që e përfaqësojnë komunitetin e biznesit”, është thënë në reagim.
Po ashtu, të ashtuquajturit ekspertë të LDK-së, sikur të kishin njohuri rreth fushëveprimtarisë së MBPZHR-së dhe ndarjes së kompetencave të dikastereve qeveritare, do ta dinin që problemet tregtare apo rregullimi dhe gjetja e tregjeve nuk janë në mandatin e Ministrisë së Bujqësisë për t’i zgjidhur, sepse politikat tona janë të fokusuara kryesisht në rritjen e prodhimtarisë bujqësore.
“Problemi i patates vjen më së shumti si rrjedhojë e hipërprodhimtarisë së saj në të gjithë rajonin në vitin e kaluar dhe jo nga çmimi referent me Shqipërinë që ka zgjatur rreth një muaj, sepse eksporti i patates në vitet e kaluara në Shqipëri përbën vetëm rreth 8 për qind të sasisë së përgjithshme të eksportit. Ndërsa, me këtë problem tani nuk po ballafaqohet vetëm Kosova, por edhe shumica e vendeve të rajonit”, thuhet në reagimin me shkrim të Ministrisë së Bujqësisë.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural vazhdon të jetë e përkushtuar për problemet e përgjithshme të fermerëve dhe në këtë kontekst edhe për problemet e prodhuesve të patates, të cilët për shkak që me prodhimtarinë e patates i përmbushin nevojat e tregut të brendshëm, deri më tani i kemi përkrahur përmes heqjes së tarifave doganore dhe TVSH-së për farën e patates dhe përmes projekteve kapitale të ujitjes, të cilat kanë ndikuar në rritjen e rendimenteve në prodhim. “Vlen të theksohet se të gjitha kërkesat e prodhuesve të patates na janë adresuar vetëm përmes prononcimeve publike nga disa të vetëquajtur përfaqësues të bujqve, të cilët janë skajshmërisht të politizuar dhe jo edhe përmes bisedave konkrete në Ministrinë e Bujqësisë, e cila ka qenë dhe është gjithmonë e hapur për secilin fermerë”. /Telegrafi/