Më shumë mallra të lirohen nga dogana
Asociacionet e Bizneseve në Kosovë kërkojnë zgjerimin e listës së produkteve të liruara nga obligimet doganore për mallrat që shfrytëzohen si lëndë e parë dhe nuk prodhohen në Kosovë. Këto kërkesa u parashtruan të enjten gjatë diskutimit rreth Projektligjit mbi Mallrat e Liruara nga Tatimi Doganor dhe Mallrat me Tarifë Zero të Tatimit Doganor, ne tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka njoftoi se sektori privat paraqet një shtyllë të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë te vendit, prandaj edhe politikat fiskale duhet të jenë në mbështetje të këtij sektori ,i cili luan rol të rëndësishëm për mbushjen e arkës shtetërore dhe hapjes së vendeve të punës. Ai tha se lista e mallrave te liruara nga taksat doganore është jo e kompletuar dhe selektive, duke shtuar se beson se kjo listë duhet të zgjerohet.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gerxhaliu tha se duhet të ketë zgjerim të produkteve në mënyrë horizontale, ndërsa Vjollca Cavolli nga STIKK theksoi se është më rëndësi që projektligji të jetë sa më i kompletuar dhe të mos të ketë nevojë të ripërsëritet ky proces në një kohë shkurt.
Kurse përfaqësuesit tjerë të shoqatave të biznesit thanë se janë të vetëdijshme se lirimi nga obligimet doganore ka implikime buxhetore, por besojnë se ky implikim është afatshkurtër, dhe besojnë se kjo do te rezulton ne investimeve dhe promovimin e prodhuesve në Kosovë.
Ndërsa përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Doganës së Kosovës besojnë se me vite Qeveria e Kosovës ka pasur për qëllim krijimin e ambientit të volitshëm të biznesit dhe është duke ndërmarre hapa të duhura për t’i avancuar politikat fiskale te saj. Ata theksojnë se ky projektligj merr parasysh propozimet e shoqatave të biznesit dhe eksperiencës shumëvjeçare, por njoftojnë se në disa raste qeveria ka vështirësi në definimin e disa nga produkteve, sidomos atyre që nga disa biznese mund të trajtohen si lëndë të pare, e nga disa biznese konsiderohen si produkt final.
Në anën tjetër bizneset prodhuese kërkuan zgjerimin e listës së produkteve që do te lirohen nga detyrimi doganor në import duke mos u kufizuar në baza selektive dhe ftuan qe të bëhen përpjekje që normat tatimore të Republikës së Kosovës të harmonizohen sa më tepër me vendet e tjera anëtare të CEFTA-s. /Telegrafi/