Ministria e Punës i njofton kompanitë për vizitë
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), ka njoftuar se Inspektorati i Punës, nga e mërkura do të filloj vizitat nëpër kompanitë ndërtimore në terë vendin. Sipas, MPMS-së qëllimi i vizitës është rritja e sigurisë në punë.
Mund të duket absurde por Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i ka njoftuar kompanitë të cilat merren me ndërtim se Inspektorati i punës do t’i vizitojë ato të mërkurën, për të shikuar kushtet në punë.
“Duke filluar nga dita e mërkure, më 22 gusht 2012, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, respektivisht Inspektorati i Punës, do të filloj aksionin për të vizituar kompanitë ndërtimore në Kosovë. Vizitat do të organizohen me qellim të verifikimit të sigurisë dhe shëndetit në vendet e punës në të cilat ekzistojnë vendet me rrezikshmëri të lartë të punës”, thuhet në njoftim të këtij dikasteri qeveritar.
Po ashtu ministria paralajmëron përfundimin teknik lidhur me formatizimin e Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë.
Ndryshe gjatë këtij viti 8 persona kanë humbur jetë në vendet e tyre të punës, sektori i ndërtimin konsiderohet më i rrezikshmi. /Telegrafi/