MTI, për eliminimin e barrierave doganore me Maqedoninë
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka njoftuar nëpërmjet një komunikate se është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Ekonomisë së Maqedonisë me qëllim të shfuqizimit të vendimit për taksën doganore nga ana e autoriteteve maqedonase për ujin dhe gypat e salduar nga Kosova. Sipas informatave zyrtare, taksa doganore e vendosur nga Qeveria e Maqedonisë do të hiqet me 1 gusht të këtij viti, ditën kur mbaron edhe masa mbrojtëse për çimenton e importuar në Kosovë.
Qeveria e Maqedonisë ka miratuar një vendim për rritjen e tarifave doganore për ujin dhe gypat e salduar. Tarifa doganore për ujin është ngritur për 40 për qind dhe ajo për gypat e salduar 15 për qind.
Qeveria e Maqedonisë e ka arsyetuar vendimin me dëmtimin e tregut maqedonas të çimentos me rastin e vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës për masat e përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke bërë përpjekje maksimale në bashkërendim e hapave me Republikën e Maqedonisë për eliminimin e barrierave tregtare/doganore në mes të dy shteteve. Në rast të mos shfuqizimit të vendimit nga Qeveria e Maqedonisë me 1 gusht, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të ndërmarrë të gjitha hapat e duhur konform ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës për të mbrojtur tregun e Kosovës dhe prodhuesit Kosovar të cilët eksportojnë në Maqedoni”, thuhet në komunikatën e MTI-së për media.
Kosova dhe Maqedonia janë partner të fuqishëm ekonomik dhe tregtia e lirë dhe fer është në interes të të dy vendeve. Qeveria e Kosovës angazhohet për partneritet të ndërsjellë ekonomik me Maqedoninë dhe shtetet tjera të rajonit, në kuadër të marrëveshjes për tregti të lirë duke shpresuar që bashkëpunimi i mirë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. /Telegrafi/