MZHE Haxhi Arifi po dezinformon
Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), ka përgënjeshtruar deklaratën e kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi se është shtyrë nënshkrimi i kontratës me kompaninë “Calik & Limak” fituese në tenderin e privatizimit të KEDS-it.MZHE nëpërmjetë një deklarate për media deklarimin e Arifit e ka quajtur dezinformatë të radhës.
“Dëshirojmë të përkujtojmë zotin Arifi se ishte prezent në prezantimin e kompanisë ‘Calik & Limak’ dhe aty është informuar se afati ligjor për nënshkrimin e kontratës është 90 ditë nga dita e përzgjedhjes së kompanisë fituese, dmth 19 tetori 2012. Siç ka deklaruar shumë herë ditëve të fundit ministri Beqaj, kontrata me kompaninë fituese do të nënshkruhet në afatin ligjor dhe për datën e nënshkrimit të saj do të informohet opinioni. Nënshkrimi i kontratës do të jetë publik dhe mediat do të mund të përcjellin këtë akt”, thuhet në reagimin e MZHE-së për media. /Telegrafi/