Ndihma, lidhja më e fortë mes nesh
Në kuadër të Përgjegjësisë Sociale të Korporatës dhe të festës së Kurban Bajramit, kompania ALBtelecom dhe Eagle Mobile kanë finalizuar kontributin e të gjithë stafit të tyre me veshmbathje, të cilat do t’u vijnë në ndihmë familjeve në nevojë, në zonat më të varfra, në qytete të ndryshme të Shqipërisë.Materialet e grumbulluara në ambientet e kompanisë u janë dorëzuar përfaqësuesve të Komunitetit Musliman të Shqipërisë, për të bërë të mundur dorëzimin e këtyre ndihmave në çdo zonë të vendit tonë.
Në ceremoninë e dorëzimit kanë qenë të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile Orhan Coşkun, Kancelari i Komunitetit Musliman Ali Zaimi, Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median pranë Komunitetit Musliman Agron Hoxha dhe Drejtor i Arsimit dhe i Rinisë Altin Shima.
Coshkun nënvizoi se kompania me anë kësaj nisme transmeton mesazhin se “Jeta është e bukur kur e ndan me të tjerët; dhe kur e ndan me të tjerët ndjen që ajo ka më shumë kuptim dhe vlerë”.
“Së shpejti kemi Kurban Bajramin, që nënkupton të sakrifikosh dhe të ndash diçka me ata që janë në vështirësi financiare. Ky është edhe qëllimi i kësaj iniciative”, shtoi Coşkun.
Gjatë fushatës që vazhdoi për një javë rresht punonjësit kanë dhënë kontributin e tyre duke dhuruar për shtresat në nevojë rroba, këpucë, lodra për fëmijë, etj. Kutitë e përgatitura posaçërisht për të grumbulluar këto materiale u janë dorëzuar përfaqësuesve të KMSH për të mundësuar identifikimin individëve dhe familjeve në nevojë dhe shpërndarjen e këtyre ndihmave në destinacionet përkatëse.
ALBtelecom dhe Eagle Mobile do të vazhdojnë sërish të kontribuojnë me ndihma edhe me rastin e festave të fundvitit, për Krishtlindje dhe për Vitin e Ri. /Telegrafi/