Në Gjermani nuk do të ketë rënie të madhe ekonomike
A thua po vjen recesioni në Gjermani? Rrallë herë ka qenë pasiguria kaq e lartë. Ndonëse në Gjermani punët po shkojnë mirë dhe optimizmi nuk ka rënë. Tepër shkaqe për ankesa nuk ka as në sektorin e shërbimeve.Anton Börner, kryetar i Shoqatës për Tregti me Shumicë, Tregti të Jashtme dhe Shërbime, kërkon më shumë qetësi. Ne po ankohemi në një nivel shumë të lartë, sepse gjendja nuk është aspak e keqe. Situata është më e mirë se sa që flitet. "Jam i bindur sikur edhe sipërmarrjet tona se ne nuk do të përplasemi për tokë dhe se viti 2009 nuk do të përsëritet", pohon Börner.
2009 ishte viti i shpërthimit të krizës ekonomike dhe financiare. Gati askush nuk ka mbetur pa u prekur. Janë prekur të gjithë: shërbimet, sipërmarrjet, sektori i teknologjisë, marketingu, shitja dhe të gjithë sektorët tjerë. Sektori i shërbimeve dëshmon më së miri se si është gjendja në një vend, sepse ai shtrihet në të gjithë sektorët tjerë.
Sipas një sondazhi të kryer së fundi në 3000 sipërmarrje që ofrojnë shërbime të ndryshme, gjendja nuk është e mirë si më parë. Por tonet megjithatë janë kryesisht pozitive. Ky sektor po rritet, si brenda vendit ashtu edhe në tregun e jashtëm. Një të katërtën e parave në qarkullim, gjë që në vitin 2012 sillet rreth 721 miliardë euro, sektori i shërbimeve e ka realizuar jashtë Gjermanisë.
Anton Börner pohon se Gjermania më së shumti eksporton në Evropë. Kjo nënvizon edhe rëndësinë e ekzistencës së euros. Dy prej pesë sipërmarrjeve janë prezentë në Amerikë, ndërsa një e treta është prezente edhe në Kinë dhe Rusi. Edhe kjo shpërndarje mundëson që kriza të tejkalohet më lehtë, pohon Börner.
Pritet që niveli i punëve të shtohet për rreth 2 për qind edhe gjatë vitit të ardhshëm. Trendi pozitiv nga viti i kaluar nuk ka ndryshuar. Vështirësi ka vetëm një në 12 sipërmarrje, për shkak të krizës dhe të konkurrencës me çmime më të lira nga Evropa Lindore. Kualiteti "Made in Germany" ende ka një vlerë të posaçme. Në sektorin e shërbimeve në Gjermani janë të punësuar rreth 7.2 milionë punëtorë. Ndërkohë që para pesë vitesh kanë qenë vetëm 6.4 milionë.
Sektori i shërbimeve ankohet për një burokraci të tepërt. Kjo më së shumti pengon tregtinë me vendet tjera. Tre të katërtat e sipërmarrjeve shpresojnë se do të ndryshohet sistemi i ruajtjes së dokumentacionit. Sipas rregullave të tanishme, i gjithë dokumentacioni duhet të ruhet së paku dhjetë vjet. Kjo është një kohë tepër e gjatë, mendojnë përfaqësuesit e sipërmarrjeve. /Telegrafi/