Në Kosovë mund të kultivohet edhe kërmilli

Publikuar: 9:45 / 10.12.2013
Në Kosovë mund të kultivohet edhe kërmilli
0shares
komente

Përfitimet që mund të sjellë kultivimi i kërmillit, janë shumë të leverdishme dhe kjo konsiderohet biznes mjaft fitimprurës. Një iniciativë të tillë, ka kohë që po e mendon Gazmend Berisha. Ai thotë se ka vizituar disa ferma në Shqipëri dhe atë model të kultivimit dëshiron ta bart edhe në Kosovë.

Shumë herë është thënë se Kosova i plotëson kushtet klimatike për prodhimin dhe kultivimin, e pothuajse të gjitha produkteve nga bujqësia. Një investim në hortikulturë, mund të sjell përfitime të mëdha. Fjala është për prodhimin e kërmillit në Kosovë.
Me këtë veprimtari planifikon të merret Gazmend Berisha, i cili shprehet i bindur se do të jetë e suksesshme. “Unë kam qenë në Shqipëri dhe e kam pa se si kultivohet kërmilli atje. Kam qenë në disa ferma në Kavajë dhe nuk është dukur shumë e vështirë kjo veprimtari. Prandaj, për fillim planifikojë të startojë me një sipërfaqe më të vogël, pra me një fushë eksperimentale dhe nëse kam suksese në këtë biznes atëherë edhe do t`i rrisë fermat në të ardhmen”, tha për Portalin “Ferma Ime”, Berisha.

Sa i përket tregut, ky fermer nuk mendon se do të ketë edhe shumë vështirësi. Madje, ai thotë se ka udhëzime të detajuara nga vet fermerët shqiptar se si të arrihet edhe te tregu. “Nuk e besoj se do të kemi probleme me tregun. E dimë shumë mirë se tregu kryesor i kërmillit është Italia, që e përdorin për ushqim, por edhe Franca e cila e përdor për mjekësi, gjegjësisht për kozmetikë. Sipas informatave që kam nga fermerët e Shqipërisë, një kilogram mund të shitet nga tri deri në pesë euro, dhe mendoj se është një përfitim goxha i mirë”, vlerëson fermeri Gazmend Berisha.

Në anën tjetër, Bajram Jaha, i cili është në përfundim të studimeve master në bujqësi në Itali, thotë se me një veprimtari të tillë mund të merren edhe fermerët nga Kosova. “Kushtet klimatike janë të përshtatshme për kultivimin e kërmillit, sidomos një pjesë e Rrafshit të Dukagjinit, ku toka dhe uji janë të mjaftueshme dhe i plotësojnë kushtet për ta kultivuar kërmillin. Përveç kësaj, bujku duhet ta ketë parasysh që sipërfaqet ku planifikon t`i ndërtoj fermat për kultivim të kërmillit, t`i mbjellë me ato kultura bujqësore që i preferon kërmilli. Në këtë rast, kulturat më të preferuara janë luledielli, lakra dhe panxhari”, thotë ai.

Por, Jaha tërheq vërejtjen te fermerët që dëshirojnë të merren me këtë veprimtari që t`i kushtojnë rëndësi edhe përgatitjes së tokës. “Është shumë e rëndësishme edhe përgatitja e tokës në pranverë, në vendin ku fermeri planifikon të ndërtojë një fermë. Toka duhet të lëvrohet, të imtësohet si dhe të dezinfektohet. Ajo parcelë duhet ta ketë edhe sistemin e ujitjes. Pastaj të mbillet me kultura bujqësore që i ceka më lart në mënyrë që të krijohen kushte sa më të favorshme për rritjen e kërmillit”, thekson Bajram Jaha.

Ndryshe, fermeri Gazmend Berisha, planifikon që fazën eksperimentale ta fillojë me vet iniciativë. Ai potencon se ka kapacitete vetanake sa të bëjë një vit eksperimente me këtë veprimtari dhe nëse ajo tregohet fitimprurëse, atëherë do të kërkojë edhe ndihmë nga institucionet përkatëse.

Kërmilli vite më parë është kultivuar në rrafshin e Dukagjinit. Asokohe tregu i këtij produkti ka qenë shteti i Italisë. /FermaIme/Telegrafi/
 

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.