Ngritja e çmimit të bukës është artificiale
Paralajmërimi për shtrenjtimin e bukës nga ana e furrtarëve si dhe ngritja e çmimit të miellit nga ana e mullisëve është i përvitshëm në këtë kohë, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë. Ata thonë se këto ngritje kanë ndodhur edhe herëve të kaluara, por kanë qenë ngritje artificiale të cilat menjëherë janë ulur.Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Adil Behramaj thotë se çmimi i bukës është ngritur katër herë në vitin e kaluar dhe katër herë përsëri është ulur, sepse gjithmonë ka qenë vetëm ngritje artificiale e çmimeve. “Tendenca për ngritjen e çmimit të bukës nuk ka ardhur si rrjedhojë e bashkëveprimit të ofertës dhe kërkesës, por si rrjedhojë e marrëveshjeve të fshehta dhe apetiteve për ta maksimizuar fitimin disa mullisë dhe furrtarë, të cilët mezi nuk presin ta shfrytëzojnë mjegullën që ngritët në opinion nga deklaratat “me tahmin” dhe të paargumentuara të disa personave që mendojnë se po bëjnë opozitë tek ne, sidomos në këtë periudhë, gjatë fushatës së korrje-shirjeve”, thotë Behramaj për Telegrafin.
Sipas tij, tendenca për ta ngritur çmimin e miellit dhe bukës nga ana e disa mullisëve dhe furrtarëve është e përvitshme në këtë kohë dhe kjo vjen si rrjedhojë e lëvizjeve të pritshme në tregun e bursës, të cilat konsiderohen si raste të volitshme nga ana e tyre dhe tentojnë t’i shfrytëzojnë edhe këtu për t’i ngritur çmimet e këtyre produkteve. “Një ngritje e çmimit të bukës dhe miellit në këtë periudhë kohore, kur ne jemi në përfundim të fushatës së korrje-shirjeve të grurit dhe kur në asnjë periudhë tjetër të vitit nuk do të kemi më shumë grurë dhe miell se tani, nuk ka sesi të jetë ndryshe, përpos ngritje artificiale e çmimeve”, tha zëdhënësi Adil Behramaj.
Fushata e korrje-shirjeve sipas tij, tash më ka përfunduar pothuajse në tërë territorin e Kosovës, në përjashtim të komunës së Dragashit, ku për shkak të lartësisë mbidetare dhe vegjetacionit të vonshëm kjo fushatë ende nuk ka filluar. “Sipas raporteve zyrtare që deri më tani i kanë dërguar 15 komuna në Ministrinë e Bujqësisë, rendimenti mesatar i prodhimtarisë së grurit në këto komuna sillet 4100 kilogram për hektarë”, thotë Behramaj.
Me një rendiment të tillë, duke pasur parasysh sipërfaqet e tërësishme të mbjella me grurë, nevojat konsumuese për kokë banori dhe nevojat e përgjithshme vjetore, prodhimtaria e brendshme e grurit në Kosovë pritet se do të arrijë t’i plotësojë rreth 75 për qind të nevojave konsumuese të popullatës. Mirëpo, kjo do të dihet saktësisht vetëm pasi t’i dërgojnë raportet përfundimtare të gjitha drejtoritë komunale bujqësore.
Furrtarët kanë paralajmëruar se çmimi i bukës mund të shkojë deri në 0.50 centë për një bukë. Aktualisht çmimi i bukës në Kosovës është nga 0.30 deri në 0.40 centë. /Telegrafi/