Ngrohje vetëm për ata që paguajnë

17:53 / 28.10.2012
As gjatë këtij dimri nuk do të ketë ngrohje për qytetarët e Prishtinës, të cilët nuk i kryejnë obligimet ndaj "Termokosit". Rreth 17 milion euro janë borxhet që konsumatorët i kanë kësaj kompanie, e cila me borxhe kaq të mëdha dhe me një çmim të mazutit, i cili është në rritje e sipër, e ka të pamundur të ofrojë ngrohje cilësore dhe t’i garantojë qytetarët, se do të ketë ngrohje edhe në këtë dimër në të cilin po hyjmë. Kështu deklaroi në një intervistë për Kosovapress, drejtori i ndërmarrjes “Termokos”, Arsim Janova, i cili fajin për këtë gjendje ua hedh qytetarëve, siç thotë ai, të pandërgjegjshëm, të cilët nuk i paguajnë faturat e “Termokosit”, e në anën tjetër kërkojnë ngrohje.

Janova nuk preferon që fajin për këtë gjendje t’ia hedh “Termokosit”. Faji prapë se prapë mbetet tek qytetarët, të cilët mbeten këmbëngulës se nuk do t’i paguajnë faturat, për diçka që atyre nuk u është ofruar. Por, Janova mohon që “Termokos” kërkon pagesë për shërbimet që nuk i ka ofruar. Ai pohon se ka pasur ngrohje edhe pse jo cilësore dhe se konsumatorët duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se nuk ka ngrohje pa pagesë.

“Nuk mund të ankohen qytetarët se nuk kanë pasur ngrohje, apo po kërkohet nga ta diçka që nuk e kanë shfrytëzuar. Kështu që në atë drejtim po them që, përkundër asaj, po të marrësh kartelat e shumë konsumatorëve tanë, e sheh se me vite të tëra asnjë pagesë nuk e kanë bërë. Kështu që është absolutisht e pavërtetë të thuhet ne nuk paguajmë për një shërbim i cili nuk na është ofruar . Ngrohja nuk ka qenë cilësore për aq kohë sa është ofruar, mirëpo as faturat nuk kanë qenë cilësore, kanë qenë shumë të ulëta, për aq sa kemi ofruar ngrohje. Mirëpo, për fat të keq, shumë konsumatorë nuk e kuptojnë që nuk ka ngrohje pa pagesë”, thotë ai.

Janova teksa flet për vështirësitë që po përballet “Termokosi” për ofrimin e një ngrohje cilësore, pohoi se e tërë kjo është edhe si pasojë e një gjendje të rëndë financiare në të cilën gjenden ata. Sipas tij, për një sezon nevojitet 10 mijë tonë mazut, sigurimi i të cilit kap vlerën prej 8 milion euro, para këto të cilat as për së afërmi nuk i ka kjo ndërmarrje.


Shpresa e vetme për përmirësim të gjendjes dhe ofrim të ngrohjes për qytetarët mbetet implementimi i projektit, që zëvendëson prodhimin e ngrohjes me mazut, me ujin e nxehtë prej “Kosovës B”, për të cilin shpresohet se do të hyjë në funksion gjatë vitit 2013.

Janova më tej pohoi se si rezultat i borxheve të mëdha, janë detyruar që t’i shkyçin një pjesë të konsumatorëve, të cilët vazhdojnë të jenë borxhlinjtë të mëdhenjtë dhe se shkyçjet e tilla do të vazhdojnë edhe më tej.

“Jemi detyruar të bëjmë edhe shkyçjen e disa objekteve në qytet, ku diku 16 objekte i kemi shkyçur nga rrjeti i ‘Termokosit’. Të gjitha ato objekte, në të cilat konsumatorët nuk i kanë kryer obligimet së paku 35 për qind ndaj ‘Termokosit’, kemi qenë të detyruar me një vendim të bordit që t’i shkyçim nga rrjeti i ‘Termokosit’”, tha ai.

Edhe për ankesat e qytetarëve që ekipet e “Termokosit” nuk dalin në terren për ta vlerësuar situatën reale se ka apo jo ngrohje e mandej t’i dërgojnë faturat, Janova ka një përgjigje. Ai madje thotë se Termokos nuk e ka për obligim që të intervenoj në rrjetin sekondar brenda banesave, pasi që për këtë konsumatorët duhet të paguajnë ekstra në rast se intervenon “Termokosi”. Ndërsa, nuk mohon se ka raste edhe që nuk i janë përgjigjur fare thirrjeve të konsumatorëve, duke thënë se nuk intervenojnë tek konsumatorët të cilët nuk i kanë kryer së paku 30 për qind të pagesës.


Janova shprehet i vendosur që t’i vazhdojnë shkyçjet e konsumatorëve që nuk paguajnë dhe se do t’i përdorin ndaj tyre të gjitha mjetet ligjore që kanë në dispozicion, qoftë me shkyçje, apo me padi përmes gjykatave.

“Qytetarët duhet ta kuptojnë, që herëdokurdo duhet t’i shlyejnë borxhet, sepse janë dhe mundësitë ligjore që megjithatë ai s’mund t’i shpëtoj pa i kryer obligimet ndaj ‘Termokosit’”, tha ai.

Megjithëse konsumatorët nuk e paguajnë ngrohjen nga “Termokosi” edhe me çmimin e tanishëm, “Termokos” ka bërë kërkesë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për ngritje të çmimit edhe për 33.5 për qind, në mënyrë që t’i mbulojë shpenzimet. Janova nuk mendon që kjo ngritje do të ndikonte në uljen e mëtejme të inkasimit, i cili edhe ashtu është mjaft i ulët. Ndërsa kjo kërkesë, siç thotë ai, është bërë për t’i zbutur shpenzimet që bëhen për ngrohje. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
Arsim Janova
Arsim Janova

-
 
 
Magazina
9:01 / 25.05.2013
Elhaida Dani

Elhaida Dani këndon edhe ilahi (Video)

Këngëtarja nga Shkodra, Elhaida Dani, përpos talentit të saj jashtë-planetar për të interpretuar këngë të muzikës mo...
Teknologji
19:43 / 24.05.2013
Laptopët e rinj, 50 për qind jetë më të gjatë të baterisë

Laptopët e rinj, 50 për qind jetë më të gjatë të baterisë

Windows 8 nuk ka bërë shumë për t’i tërhequr njerëzit të blejnë pajisje elektronike, si laptop apo kompjuterë person...
Ekonomi
16:20 / 24.05.2013

KEK-u nuk menaxhon më asetet e distribucionit

Drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë treguar se nuk menaxhojnë më me Distrubucionit e kësaj korporate dh...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.