Një dekadë AKB
Mbi 10 mijë e 500 biznese anëtare ka arritur t’i fus në gjirin e saj Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) në ditën kur po shënon 10 vjetorin e saj të themelimit. Kryetari, Agim Shahini tha se AKB-ja ka kontribuuar dhe emancipuar edhe politikën dhe programet e subjekteve politike që kanë udhëhequr por edhe që po udhëheqin tani me shtetin tonë.Gjatë ceremonisë së festimit të këtij jubileu, u tha se Kuvendi i Kosovës, përmes Komisioneve Parlamentare merr shpesh opinionet e AKB-së rreth hartimit të ligjeve që kanë të bëjnë me ekonomi dhe buxhet. “AKB-ja është partner i zëshëm i institucioneve shtetërore, madje, edhe i institucioneve prestigjioze, i akademive të vendeve të huaja. Roli jonë mbetet edhe më për strategjinë zhvillimore të komunave. Tashmë jemi partner me 15 komuna me shumë projekte, ku një nga to do të realizohet në vijim në Komunën e Ferizajt”, tha Shahini.
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka pohuar se tashmë janë krijuar rrethana të favorshme për biznes, edhe pse pranon se rrethanat ligjore dhe politike nuk janë të përshtatshme. “Jam i vetëdijshëm që rrethanat edhe ligjore, edhe politike por edhe ekonomike nuk janë gjithaq të përshtatshme për zhvillimin dhe suksesin e biznese në Kosovë. Megjithatë, ekzistojnë rrethana të favorshme për zhvillimin e biznesit në Kosovë”, th Krasniqi.
Ndërkaq, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila theksoi se tashmë kërkohet edhe më shumë punë dhe se gjithçka është e mundur. “Nga këtu ju bëjë thirrje të gjithë kosovarëve dhe sidomos prodhuesve që të jenë të përcaktuar më tutje në promovimin e vlerave të tyre dhe të besojnë se Kosova mundet për më mirë. Kur kemi kaluar nëpër periudhë aq të vështirë të procesit politikë, procesi ekonomik duhet të jetë edhe më i lehtë”, u shpreh zëvendëskryeministrja Kusari - Lila.
Gjatë kësaj ceremonie është shfaqur edhe dokumentari i AKB-së “10 vite me ju” si dhe janë ndarë 10 mirënjohjeve për institucione të ndryshme. /Telegrafi/