Nokia shkurton 10 mijë vende pune
“Nokia” ka ndërmend të shkurtojë 10 mijë vende të tjera pune brenda vitit 2013 dhe të mbyllë disa fabrika prodhuese, në përpjekje për të ulur shpenzimet dhe për të kursyer 3 miliardë euro. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kompania finlandeze, që përmes një komunikate për shtyp konfirmon shitjen e divizionit të celularëve luksozë “Vertu”, tek kompania suedeze “EQT Partners”.
Kompania do të mbyllë disa fabrika në Finlandë, në Gjermani dhe në Kanada, nënvizohet ndër të tjera në komunikatën për shtyp dërguar mediave.
Në muajt e kaluar “Nokia” u rrëzua nga froni i prodhuesit të parë të celularëve në botë nga “Samsung”, për herë të parë pas 14 vjetësh. Në bursën e Helsinkit titulli i kompanisë ka rënë duke humbur të paktën 10 për qind.
Administratori i grupit, Stephen Elop ka ndërmend të ristrukturojë ndërmarrjen për t’i bërë ballë konkurrencës së ashpër të “Samsung” dhe “Apple”. /Telegrafi/