Përfundon me sukses fushata e korrje shirjeve në Mitrovicë
Ka përfunduar me sukses fushata e korrje shirjeve në territorin e Komunës së Mitrovicës. Zyrtarët e Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, thanë se rendimentet e grurit kanë qenë më të vogla krahasuar me vitin e kaluar për shkak te kushteve agroekologjike.
Drejtori i kësaj drejtorie, Bislim Imeri, tha se përkundër disa problemeve të vogla, këtë vit korrje shirja ka qenë e suksesshme. Sipas tij, në Komunën e Mitrovicës këtë vit kanë qenë të kultivuara gjithsej 930 ha grurë, 800 ha tërshërë dhe 45 ha elb. “Korrje shirjet kanë filluar me datën 06.07.2012 dhe kanë vazhduar deri me datën 25.07. 2012”, njoftoi ai.
Drejtori Imeri, theksoi se procesi i korrje shirjes përkundër disa problemeve të vogla është realizuar ashtu siç është hartuar dhe planifikuar nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Ministria e Bujqësisë. “Është e rëndësishme të theksohet se në fillim me korrje kanë startuar 10 autokombajna, kurse më vonë numri i tyre është rritur në 20 sosh”, theksoi ai.
Imeri tha se në bazë të dhënave nga terreni dhe analizave rendimenti mesatar në këtë vit ka qenë: 4000 kg/ha grurë, 2100 kg/ha tërshërë dhe 2400 kg/ha elb. “Për përfundim të suksesshëm të korrje shirjeve përkundër kushteve agroekologjike kanë ndikuar disa faktorë: Ardhja e një numri të madh të autokombajnave nga komunat tjera, mandej puna në terren e komisionit komunal dhe Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe subvencionimi i MBPZHR për autokombajna me 25 për qind më lirë për litër të naftës”. /Telegrafi/