Pacollit i jepet shansi ta pengojë “privatizimin e keq”
Vitin e kaluar zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka kërkuar aleatë për ta ndaluar “privatizimin e keq” të aseteve publike të cilin është duke e bërë Qeveria, nën drejtimin e Hashim Thaçit. Tani kur aleatë i janë bërë tri parti opozitare, ai është përcaktuar të vihet në mbështetje të shefit të ekzekutivit. Deputetët e Koalicionit për Kosovë të Re, me përjashtim të Muhamet Mustafës, që është shprehur publikisht kundër “privatizimit me çdo kusht”, të pasurisë publike, kanë vendosur që të enjten të votojnë në mbështetje të Rezolutës së PDK-së, për vazhdim të privatizimit në formën e deritashme.
Shefja e Grupit parlamentar të KKR-së, Myzejene Selmani, ka mohuar që koalicioni të ketë devijuar nga programi ekonomik i vitit 2010, por nuk e ka parë të arsyeshme që procesi i privatizimit të ndalet ashtu siç pretendon Vetëvendosja.
Ajo ka shprehur bindjen se bllokimi i privatizimit, e sidomos ai i PTK-së, nuk do të jetë në interes të vendit.
“Koha Ditore”, përmes burimeve të veta, ka mësuar se të mërkurën është mbledhur grupi i KKR-së, për ta harmonizuar qëndrimin për seancën e së enjtes, por, ka mbetur e paqartë se si do të veprojë anëtari i grupit të ekspertëve E15, Muhamet Mustafa.
“Profesori ka qenë argumentues dhe i drejtë, por votimi i së enjtes është politik dhe duke qenë i tillë, duhet demonstruar unitet në bashkëqeverisje”, ka thënë një nga të pranishmit në mbledhje. /Telegrafi/