Pasojat afatgjata të krizës

16:55 / 5.02.2013

Ministria e Financave në Shqipëri lëshon alarmin se pasojat e krizës në ekonomi mund të jenë afatgjata, duke krijuar një spirale negative me rritje të dobët dhe papunësi të lartë disavjeçare. Në programin e sapo publikuar ekonomik për periudhën 2013-2015, financat vlerësojnë se rritja ekonomike mund t'i rikthehet nivelit 4 për qind jo me pare se në vitin 2015. Por siç thuhet në dokument, ky skenar është me risqe të larta, tre prej të cilëve analizohen me hollësi.

Rreziku i parë është mosrikuperimi i kërkesës së brendshme, edhe kur pasiguritë që ka sjellë kriza tek qytetarët dhe biznesi të jenë lehtësuar. Mbetja e konsumit dhe investimeve të brendshme në nivele të ulëta, sipas financave, do të krijonte një reaksion zinxhir duke çuar fillimisht në një rritje më të ngadaltë të të ardhurave, e më vonë në investime të reja më të ulëta duke dekurajuar përmirësimin e teknologjisë dhe rritjen e produktivitetit në ekonomi.

Sipas financave kjo, jo vetëm që do frenonte rritjen ekonomike për tre vitet e ardhshme, por do të godiste dhe rritjen potenciale të ekonomisë për periudhat e mëvonshme. Dokumenti paralajmëron se ky skenar me rritje të ulët ekonomike do ta bënte edhe më të vështirë mbajtjen në kontroll të borxhit dhe stabilizimin e financave publike.

Rreziku i dytë është ai i pozicionit të Jashtëm të ekonomisë. Me gjithë ecurinë e mirë të tregtisë gjatë vitit 2012, ekspertët e ministrisë paralajmërojnë se përmirësimi i bilancit tregtar të vendit mund të përmbyset, nëse kriza energjetike do imponojë importe të larta dhe situata e rënduar në Itali dhe Greqi do godasë eksportet shqiptare. Këtyre dy risqeve të ekonomisë reale u shtohet edhe ai që buron nga sektori financiar dhe që lidhet më hezitimin e bankave për të kredituar ekonominë për shkak të kredive të këqija dhe kërkesës së dobët nga biznesi. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.