Peng i auditorit
U zgjodh më i miri, por asnjëherë nuk u thirr ta kryejë punën. Korporata Energjetike e Kosovës që nga muaji prill nuk ia ka nënshkruar kontratën për furnizim me kompjuterë kompanisë City Computer nga Prishtinë.Zvarritja e këtij procesi ka bërë që të ndërhyjë Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik për ta ndarë drejtësinë.
Ky i fundit ka nxjerrë vendimin final se KEK pa të drejtë po e bllokon këtë kontratë.
Madje, e ka bërë përgjegjës auditorin e brendshëm të kësaj korporate se ka vepruar kundërligjshëm në këtë rast, duke audituar procesin për të cilin, sipas OSHP-së, nuk është i thirrur ta bëjë, raporton “Express”.
Sipas të dhënave të këtij autoriteti, kontrata ish dashur të nënshkruhej më 30 prill të këtij viti, mirëpo auditori i brendshëm ka bërë kërkesë për auditivin e këtij aktiviteti të prokurimit.
E për t’u siguruar se kjo punë do të kryhej si duhet, Operatori Ekonomik, në këtë rast City Computers ka kërkuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik që ta monitorojë situatën.
Por, pavarësish kësaj, vendimi nuk doli në favor të kontraktuesit.
“Eksperti i KRPP-së ka konstatuar se më datën 09.09.2012 është lëshuar raporti i auditorit të brendshëm drejtuar zyrës së prokurimit për mosnënshkrim të kontratës, duke u nisur nga fakti që kërkesat nuk kanë qenë të planifikuara në mënyrë të duhur nga njësitë kërkuese”, thuhet në shkresën e OSHP-së.
Duke u bazuar në shkresat e lëndës, vërehet që KRPP-ja në opinionin e vet të dhënë në lidhje me këtë aktivitet të prokurimit ka konstatuar stërzgjatjen e përgjegjësisë nga ana e auditorit të brendshëm si dhe ka vlerësuar se anulimi i këtij aktiviteti është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit.
Por, pavarësisht kësaj, KEK-u e ka dëgjuar këshillën e auditori të vet të brendshëm dhe më 27 shtator ka vendosur ta anulojë komplet tenderin.
Megjithatë, njoftimi për anulim të këtij aktiviteti është larguar nga faqja zyrtare e KRPP-së menjëherë pas tri dite dhe procesi ka mbetur pezull.
OSHP, pas shqyrtimit të shkresave të prezantuara nga Operatori Ekonomik ankues dhe ekspertizës së KRPP-së dhe opinioneve të saj në lidhje me këtë aktivitet, vlerëson se me Ligjin e Prokurimit nuk është kompetent auditori i brendshëm për anulimin e aktiviteteve të prokurimit.
Kjo çështje, sipas këtij autoriteti, është e sqaruar shumë mirë në ligj.
“OSHP-ja konsideron se ndërhyrja e auditorit të brendshëm në këtë rast është jo ligjore, e paarsyeshme dhe e paargumentuar, andaj njofton AK-në dhe OE ankues se kontrata duhet të nënshkruhet, pasi që nuk ekziston asnjë bazë ligjore për mosnënshkrim të kontratës”, thuhet në shkresën e OSHP-së.
Gjithashtu, duke u bazuar në ekspertizën e KRPP-së si organ monitorues, vlerëson se nuk ekziston shkelje e dispozitave materiale dhe procedurale gjatë zhvillimit të aktivitetit të prokurimit në fjalë.
Në kompaninë City Computer nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me ecuritë e këtij procesi, duke thënë se organet kompetente do të vendosin për këtë çështje. /Telegrafi/