Pensioni në Kosovë nuk del as për një muaj ushqim
Një pensionist nuk do të mund të ushqehej normalisht vetëm nga pensioni që merr nga shteti i Kosovës. Madje edhe nëse do të kishte të zgjidhur çështjen e banimit e nuk do të bënte asnjë shpenzim tjetër përveç ushqimit. Kjo për shkak të çmimeve shumë të larta të artikujve elementarë.
Në Prishtinë, për ushqim normal një personi i nevojiten 3 euro e 1 cent apo 93 euro në muaj. Një familje me 6 anëtarë do të duhej të shpenzonte 558 euro vetëm për ushqim në Kosovë, në mënyrë që të marrë ushqim të shëndetshëm.
Në Kosovë edhe familjet që kanë të ardhura mesatare llogariten si të varfra dhe nuk mund të ushqehen mirë, shkruan Koha Ditore.
Një qytetar që ka arritur moshën e pensionimit (65 vjet) nga shteti merr vetëm 45 euro në emër të pensionit. Nën supozimin se ai e ka të zgjidhur çështjen e banimit, nuk bën asnjë shpenzim për barna dhe jeton i vetëm, atëherë ai normalisht do të mund të ushqehet vetëm 15 ditë. Për dy javë të tjera, ai nuk do të ketë asnjë cent që të shpenzojë për ushqim. /Telegrafi/