Për investimet e huaja, të krijohet mjedis i përshtatshëm

16:30 / 18.07.2013

Projektligji për Investimet e huaja të drejtpërdrejta është miratuar përsëri nga Qeveria e Kosovës. Me këtë projektligj, tashmë parashihet që investitorët e huaj të kenë trajtim të barabartë me investitorët vendorë, kurse diaspora kosovare do të gëzojë të gjitha të drejtat dhe privilegjet e investitorëve të huaj. Analistët ekonomikë shfaqen skeptikë nëse projektligji do të miratohet në Kuvend.

Projektligji i ri për investimet e huaja, i kthyer nga Kuvendi në qeveri, është miratuar sërish nga kjo e fundit, me ndryshimet e kërkuara nga deputetët.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, tha në mbledhjen e djeshme të qeverisë tha se projektligji rregullon mbrojtjen, promovimin dhe nxitjen e investimeve të huaja në Kosovë, dhe garanton mosdiskriminimin e tyre. Sipas saj, me këtë projektligj është paraparë përfshirja e diasporës kosovare si investitorë të huaj. “Edhe diaspora do t’i gëzojë të gjitha të drejtat dhe privilegjet të cilat i gëzojnë investitorët e huaj. Risi tjetër është se Kosova do t’iu jep investitorëve të huaj dhe investimeve të tyre trajtim të njëjtë dhe të barabartë me investitorët vendorë dhe investimet vendore”, tha ajo.

Investitorët e huaj dhe investimet e tyre do të jenë në pajtim dhe do të kenë të drejta dhe obligime me ligjin e aplikueshëm në Kosovë njëlloj si investitorët vendorë dhe investimet vendore, thuhet në projektligj.

Por, analistët ekonomikë shprehen skeptikë se projektligji, pavarësisht ndryshimeve, do të miratohet në Kuvend.

Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike e Sociale “STRAS”, tha për Radio Kosovën se projektligji ka kaluar nëpër shumë procedura dhe shfaq dyshime se në të janë përfshirë të gjitha ndryshimet e kërkuara. “Kosova është e njohur që ka mbajt ligje që mund të jenë të mira, por problemi është te moszbatimi i ligjeve, ngathtësia nëpër gjykata dhe në përgjithësi një sistem bukur i plogësht sa i përket mbrojtjes së investitorëve dhe të investimeve”, theksoi ai.

Sipas të dhënave të bankës Qendrore, nga viti 2000 deri në vitin 2012 investimet e huaja në Kosovë ishin në vlerë rreth 2 miliardë e 400 milionë euro. Vitin e kaluar ato ishin në vlerën më të ultë, 232 milionë euro, kurse gjatë tremujorit të parë të këtij viti, ishin ne vlerë rreth 60 milionë euro, me një rritje rreth 7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.