Politikbërja e limituar e 'Të Bërit Biznes'
Instituti për Politika Zhvillimore prezantoi të mërkurën gjetjet e analizës së tyre Politikbërja e Kufizuar e të Bërit Biznes. Punimi është një analizë e politikave publike për përmirësimin e mjedisit së ndërmarrësisë në Kosovë përmes përmirësimit të indikatorëve të Raportit të të Bërit Biznes të Bankës Botërore.“Raporti i të Bërit Biznes është një vlerësim shumë i kufizuar i gjendjes reale së sferës së mundësimit të ndërmarrësisë në një shtet”, tha autorja e punimit Dita Dobranja. Ajo gjithashtu ka shtuar se për shkak të kufizimeve të këtij raporti, fakti që ministri të tëra në Kosovë e fokusojnë politikbërjen e tyre tërësisht në këtë sferë është shqetësues.
Nëpërmjet kësaj analize, INDEP ka bërë një vlerësim të mënyrës se si arrihet te përfundimet dhe klasifikimi i gjetjeve të këtij raporti të Bankës Botërore. Sipas INDEP, Raporti i të Bërit Biznes merr parasysh çështje relativisht sipërfaqësore për sa i përket vlerësimit të vërtetë të ambientit të ndërmarrësisë në një vend. Disa çështje të cilat nuk konsiderohen nga ky raport janë problemi i korrupsionit, efikasiteti i gjyqësorit, sundimi i ligjit, ndikimi i qeverisë në biznese, infrastruktura, ambienti makroekonomik, tregu i punës, etj.
“Ndërkohë që përparimi i Kosovës në radhitje për 19 vende është shenjë e mirë, kjo nuk reflekton realitetin rreth sfidave të të bërit biznes në vend”, theksoi Darsei Canhasi, bashkautor i analizës.
Sipas INDEP, hartimi i politikave të zhvillimit ekonomik duhet të bëhet sipas një plani makroekonomik të fokusuar në zhvillimin e vendit, dhe jo klasifikimit në një raport të vetëm. Një qasje e tillë ndaj zhvillimit ekonomik në vend do të siguronte përmirësime në të gjitha fushat e operimit të bizneseve. Kjo do të siguronte zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. /Telegrafi/