Posta nuk do të jetë hipotekë
Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), nëpërmjet një reagimi për media ka bërë të ditur se Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së (KQP), nuk ka premtuar dhënien hipotekë të aseteve të paluajtshme PTK-së e as të Postës së Kosovës për kompanitë e parakulifikuara në procesin e privatizimit të PTK-së.
Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së (KQP), i vlerëson si të pavërteta dhe tendencioze shkrimet në disa nga mediat vendore që pohojnë një gjë të tillë, dhe njëkohësisht, thonë se në cilësinë e udhëheqësit të procesit të privatizimit të PTK-së, nuk ka pasur asnjë takim më investitorët e parakualifikuar për privatizimin e PTK-së dhe nuk ka pranuar asnjë kërkesë formale nga këto kompani për futjen në hipotekë të aseteve të paluajtshme, qoftë të PTK-së apo Postës së Kosovës.
Ata bëjnë me dije se në bazë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë, PTK është ristrukturuar dhe ndarë në dy kompani - në Postën e Kosovës dhe PTK-në, pjesë e së cilës kanë mbetur biznesi i telekomit, ku përfshihen telefonia mobile, fikse dhe interneti.
“Posta e Kosovës është duke funksionuar si ndërmarrje e ndarë publike nga PTK-ja, ka rreth një mijë punëtorë dhe ka trashëguar mbi 98 për qind të aseteve të paluajtshme të të gjithë PTK-së. Astetet e Postës siç janë të gjitha ndërtesat, janë pjesë e ndërmarrjes së re publike Posta e Kosovës, nuk janë pjesë e privatizimit dhe nuk mund të futen në hipotekë. Posta e Kosovës ligjërisht dhe në praktik do të vazhdojë të funksionojë si ndërmarrje e pavarur publike, ndërsa do të pranojë të hyra për qira dhe shërbime tjera që ofron tani dhe në të ardhmen për PTK-në”, thuhet në reagimin e KQP-së.
Madje sipas tyre, procesi nuk është rrezikuar nga tërheqja potenciale e investitorëve. /Telegrafi/