Preferencat politike për guvernatorin e BQK-së

11:39 / 24.01.2013
Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa në pikën që kishte të bënte me emërimin e një anëtari të Bordit të BQK-së, dolën në pah edhe preferencat që ka ky komision me rekomandimet e tyre. Bedri Peci, kandidati që ishte vlerësuar nga BQK-ja me 10 pikë më shumë se kandidatët tjerë, Arsim Bruqaj dhe Skënder Kllokoqi, është diskutuar të favorizohet edhe nga komisioni.

Megjithëkëtë, kryetarja e këtij komisioni, Safete Hadergjonaj është shprehur e befasuar se në këtë rast nuk ka pasur ndonjë ndikim nga jashtë, i cili do të ndikonte në punën e komisionit. “Si në mandatin tjetër edhe këtë mandat kemi pasur interferime të ndryshme rreth bordeve, rreth personave të caktuar, sidomos kur ka qenë çështja te BQK-ja. Jam shumë e kënaqur që askush nuk ka interferuar për asnjë anëtar, as nga ndërkombëtarët dhe as nga vendorët, kështu që jemi të lirë në përzgjedhje”, ka thënë Hadërgjonaj.

Mirëpo, anëtari i këtij komisioni, Latif Gashi nga PDK-ja, ka insistuar që komisioni të rekomandojë Bedri Pecin për këtë pozitë, me arsyetimin se komisioni vlerësues i BQK-së e ka vlerësuar me 10 pikë më shumë. “Që t’i ikim votës politike dhe duke marr aspektin profesional, kërkoj që t’i japim përkrahje kandidatit që është vlerësuar më së shumti me vota”, ka thënë Gashi.

Mirëpo, deputetët e LDK-së, njëherësh anëtarë të këtij komisioni, janë shprehur kundër këtij rekomandimi edhe pse kanë pranuar që në Kuvend kandidatët votohen politikisht e jo profesionalisht. “Ka me qenë votë politike në Parlament. Nuk ka nevojë që ne të japim sugjerime që ndoshta grupet tona parlamentare do të propozojnë dikënd tjetër për ta votuar, kështu që të shkojnë të gjithë dhe atje vendoset”, ka thënë deputeti i LDK-së, Sali Asllanaj. “Ne e dimë qysh funksionon, asnjë deputet nuk do ta ketë parasysh këtë rekomandimin për persona të veçantë”, ka thënë Hykmete Bajrami, po ashtu nga LDK-ja.

Ndërsa kryetarja Hadërgjonaj, edhe pse propozoi që të favorizohet Bedri Peci, në fund rekomandoi që të tre emrat të shkojnë në Kuvend për votim. “Ne jemi dëshmitarë të një realiteti që në njëfarë mënyre po depërtojnë njerëz edhe pa përvojën profesionale, mirëpo BQK-ja është i vetmi institucion që nuk duhet të kërkohet përvoja politike. Nganjëherë edhe me lobime që bëhen mund të përfitojë një kandidat, që ndoshta nuk ia vlen fare të jetë aty”, ka thënë Hadërgjonaj.

Në këtë mbledhje është proceduar për në Kuvend edhe Projektligjit për tarifat e veçanta të akcizës për prodhimin fillestar dhe prodhimin e vogël të produkteve alkoolike të prodhuara në Kosovë. Ramadan Avdiu, ushtrues detyre i ministrit të Financave, duke folur për këtë projektligj ka thënë se synojnë t’i ndihmojnë të gjithë prodhuesit vendorë pasi këto masa, sipas tij, janë kryesisht masa mbështetëse për të filluar prodhimin fillestar. “Nëpërmjet këtij projektligji Ministria e Financave synon ta rregullojë ambientin biznesor të kësaj veprimtarie si dhe nxitjen dhe stimulimin e prodhimtarisë vendore dhe mundësisë që prodhuesit vendorë të konkurrojnë me produktet e tyre në tregun e Kosovës dhe jashtë saj”, ka thënë Avdiu. /Zëri/Telegrafi/

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.

-
 
 
Magazina
13:28 / 24.05.2013
Beyonce

Beyonce me linjë të saj të modës

Beyonce ka krijuar linjën e saj personale të modës të quajtur “Beyonce Boutique” për ueb-faqen Rent the Runway, ku das...
Teknologji
13:50 / 24.05.2013
Huawei të debutojë me Ascend P6

Huawei të debutojë me Ascend P6

Muajin e ardhshëm, saktësisht më 18 qershor, Huawei do të mbajnë një ngjarje të re mediale, në të cilën thuhet se do ...
Ekonomi
11:58 / 24.05.2013

Qerimi shpërblen “Altima”n me 825 mijë euro

Kryeshefi ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës Ejup Qerimi, ka shpërblyer kompaninë kroate “Altima”, me të cil...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.