Prishtina nuk menaxhon mirë me buxhetin
Komuna e Prishtinës nuk po përmbush kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, të cilëve nuk u ofron pjesëmarrje në vendimmarrje, ka menaxhim jo të mirë me buxhetin dhe nivel jo të lartë të transparencës dhe llogaridhënies. Këto janë disa nga parregullsitë dhe sfidat më të mëdha që janë përmendur në raportin e Iniciativës për progres (INPO) i bazuar në monitorimin e punës së komunës së Prishtinës për periudhën janar - qershor 2012.Në këtë raport thuhet se Komuna e Prishtinës që në fillim të vitit 2012 kishte pasur probleme të mëdha me të reshurat e borës, të cilat u patën sjellë probleme të mëdha qytetarëve në në kryeqytet dhe fshatra të tij. “Komuna kishte kontraktuar tri kompani për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve. Edhe pse këto kompani janë paguar nga komuna, me mjete të qytetarëve, si taksapagues, këto kompani nuk kanë arritur të pastrojnë rrugët dhe disa fshatra dhe rrugë kanë qenë të bllokuara më ditë të tëra”, thuhet në raport. Kjo, sipas INPO-së, vë në pa se Komuna e Prishtinës duhet të forcoj mbikëqyrjen e kontratave publike.
INPO në raport deklaron se Komuna e Prishtinës nuk ka performancë të mirë buxhetore, njëherit nuk po bën as përmirësime në këtë drejtim. Komuna e Prishtinës, sipas tyre, për vitin 2012 ka miratuar një buxhet në vlerë prej 61,741,684 euro dhe në fillim të vitit 2012 janë bartur edhe rreth 17 milionë të mbetura nga vitit 2011. Kjo shumë, sipas llogarive të INPO-së, nënkupton që komuna nuk po menaxhon mirë me buxhetin. Edhe sa i përket shpenzimeve deri më tani, komuna ka shpenzuar vetëm 22.65 për qind.
“Komuna e Prishtinës ka projektuar ndryshime të mëdha buxhetore me procesin e rishikimit të buxhetit në së paku gjashtë sektorë të saj, duke hequr shuma të mëdha parash nga njëra linjë buxhetore dhe duke i transferuar ato në destinacione të tjera. Ku janë marr mjete nga shumë projekte që janë me rëndësi, e janë bartur për ndërtimin e sheshit ‘Zahir Pajaziti’. Raportimi i Ndërmarrjeve Publike Komunale ka qenë vetëm një raportim sa për të përmbushur detyrimet ligjore. Raportet të cilat këto ndërmarrje i kanë hartuar dhe që i kanë prezantuar në kuvendin komunal janë raporte të cilat nuk i plotësojnë as kriteret bazë për një raport. Në këto raporte nuk janë paraqitur në mënyrë të qartë zhvillimi, sfidat dhe sukseset e këtyre ndërmarrjeve publike në komunën e Prishtinës. Raportet nuk janë bazuar në zhvillimet e punëve reale të Ndërmarrjeve Publike Komunale. Raportet që u janë prezantuar asamblistëve të Prishtinës, po thuajse janë përshkrime identike të raporteve të viteve të kaluara”, thuhet në raport.
INPO thonë se kanë përcjellë të gjitha takimet me qytetarë që i ka organizuar komuna për këtë gjashtë mujor. Dhe vlerësojnë se në përgjithësi takimet kanë qenë të rregullta, mirëpo INPO bën thirrje që brengat, rekomandimet e qytetarëve të shprehura gjatë kësaj periudhe të përfshihen në agjendën punuese të komunës së Prishtinës. /Telegrafi/