Prodhuesit e pijeve të pakënaqur me politikat fiskale
Departamenti i Pijeve Jo alkoolike i Aleancës Kosovare të Bizneseve, është i shqetësuar me situatën e vështirësuar të operimit të këtij sektori të zhvilluar në vend. Bashkim Osmani, kryesues i Departamentit të Pijeve Jo alkolike, tha se Qeveria e Kosovës dhe dikasteret e saj si Ministria e Financave, ajo e Tregtisë dhe Industrisë dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik vazhdimisht po prononcohen se angazhohen për të krijuar kushte të volitshme të zhvillimit të biznesit dhe sektorit privat në Kosovë. AKB-ja, si pjesë e angazhimeve në kuadër të krijimit të një mjedisi më të volitshëm, vlen të potencohet projekt ligji për Lirimin nga Detyrimet Doganore të disa prej lëndëve të para dhe makinerive të prodhimit si dhe angazhimet vetëmohuese për balancimin e tregut duke ndërmarr kundërmasat ndaj dampingut. “Natyrisht veprimet e tilla do jenë gjithmonë të mirëseardhura dhe të përkrahura nga komuniteti i biznesit, përderisa kanë për qëllim zbatimin e një qëllimi tonë të përbashkët e që është zhvillimi i ekonomisë së shtetit tonë”, tha Bashkim Osmani.
Ai shtoi se tanimë botërisht është e ditur se, industria e përpunimit dhe prodhimit të pijeve joalkoolike është një nga degët më të zhvilluara në Republikën e Kosovës. Si rikujtim ai potencoi faktin se 100% e këtij biznesi është i ngritur me forca tona vetanake pa asnjë përkrahje apo subvencion.
Kryesues i Departamentit të Pijeve Jo alkolike, shtoi se si çdo degë e industrisë janë duke u ballafaquar me probleme të shumta. Problemet janë të natyrave të ndryshme dhe në theks të veçantë kjo konferencë ka të bëjë me problemin e politikave fiskale që udhëhiqen për lëndët e para dhe produktet që këta i prodhojmë. “Duke analizuar politikat fiskale të shteteve të rajonit, posaçërisht të atyre që janë anëtare të marrëveshjes së CEFTA-së, lehtë është e determinueshme se kushtet më të disfavorshme për llojin tonë të prodhimtarisë janë në Kosovë. Ne në vazhdimësi, pa asnjë vullnet, kemi paguar taksën e akcizës së brendshme për produktet tona që nga viti 2006”, tha Bashkim Osmani. /Telegrafi/