Projektuesi i euros: Disa shtete do të ikin nga Eurozona
Mes paralajmërimeve të shumta për një shkatërrim të Eurozonës, një prej arkitektëve të monedhës së përbashkët, Otmar Issing thotë se disa vende anëtare të bllokut mund të detyrohen të largohen nëse kriza e borxheve do të vazhdojë.Issing në një shkrim editorial thotë se “gjithçka më bën të besoj se Eurozona do të shpëtojë. Ajo që nuk mund të parashikoj është se sa vende do të vazhdojnë të mbeten pjesë e saj më pas. Ish anëtari i Bundesbank dhe nismëtari i BQE-së thekson se duhen reforma thelbësore nga disa vende.
“Ajo që duhet që të gjithë të përqendrohen është rikthimi i euros siç ka qenë, një monedhë e fortë dhe e qëndrueshme, e stabilizuar nga një Bankë Qendrore. Në mënyrë që kjo të ndodhë, të gjithë protagonistët e tjerë, veçanërisht qeveritë kombëtare, duhet të përmbushin detyrat e tyre”, thekson Issing në shkrimin e tij.
Komentet vijnë pasi Banka Qendrore franceze tha se ekonomia e saj do të jetë përsëri në recesion edhe gjatë këtij tremujori. Ekonomia italiane gjithashtu edhe për tremujorin e tretë do të ketë tkurrje, ndërsa Banka e Anglisë parashikoi zero rritje. /Telegrafi/