Prokuroria Speciale merr në dorë dosjen e tenderit 6- milionësh të KEK-ut
Hetuesit e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e kanë “bastisur” Korporatën Energjetike të Kosovës për të marrë dosjen e tenderit për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve të KEK-ut. Vlera e këtij tenderi është mbi 6 milionë euro, ndërsa është në procedurë tash e disa muaj. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ende nuk e ka nënshkruar kontratën me konsorciumin “Security Code & WDG”, të cilin e kishte rekomanduar për kontratë, megjithëse ka marrë dritën jeshile nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Ky i fundit i kishte dhënë të drejtë KEK-ut me gjithë aneksën që “Besa Security” kishte bërë kundër vendimit të KEK-ut që për kontratë kishte rekomanduar konsorciumin “Security Code & WDG”.
Burimet e gazetës Koha Ditore kanë bërë të ditur se njësiti i Task Forcës Kundër Korrupsionit gjatë fundjavës ka qenë në objektet e Korporatës Energjetike të Kosovës për të marrë dokumentacionin e këtij tenderi.
I gjithë dokumentacioni i këtij tenderi tashmë është në Prokurorinë Speciale, mirëpo burimet brenda KEK-ut kanë bërë të ditur se kjo korporatë i ka kopjet e të gjitha dokumenteve të këtij tenderi dhe se pritet të vendosë së shpejti rreth këtij tenderi. Fillimi i hetimeve nga Prokuroria Speciale është bërë pas ankesës së kompanisë “Besa Security” për shkeljet ligjore gjatë procesit të prokurimit të udhëhequr nga Korporata Energjetike e Kosovës e të vazhduara edhe nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.
Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, ka thënë se nuk mund të bëhet konfirmimi nëse një person apo institucion është nën hetime. “Prokurorët e EULEX-it nuk konfirmojnë apo mohojnë nëse ndonjë individ apo institucion është nën hetime”, ka thënë Krasniqi, duke u përgjigjur në të gjitha pyetjet e gazetës rreth këtij tenderi. /Telegrafi/