PTK paguan 10 milionë euro dividendë
PTK ka paguar edhe 10 milionë euro të tjera dividendë për Qeverinë e Kosovës, që në total arrijnë shumën prej 35 milionë euro të paguara për nëntëmujorin e parë të këtij viti, ndërkohë që edhe 10 milionë të tjera do të ndahen në formën e dividendës deri më 31 dhjetor, duke arritur shumën e përgjithshme prej 45 milionë euro dividendë të ndara vetëm gjatë vitit 2012.Si rrjedhojë e afarizmit pozitiv financiar dhe si rezultat i masave efikase të ndërmarra nga menaxhmenti aktual, PTK konform vendimit të Bordit të Drejtorëve ka alokuar këto mjete për buxhetin e Kosovës në përputhje të plotë me objektivat strategjike dhe financiare.
PTK ka shënuar një nivel të kënaqshëm të performancës financiare, veçanërisht në muajt e fundit, bazuar në afarizmin e suksesshëm të tërë sistemit të saj operativ, duke rritur fitimin neto për 11 për qind në nëntëmujorin e këtij viti krahasuar me vitin e kaluar. “Puna që kemi bërë në këtë periudhë të këtij viti, produktet e reja për konsumatorët, ofertat gjithnjë e më atraktive për ta si dhe ulja e shpenzimeve, kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme të kompanisë në aspektin e të hyrave financiare dhe për këtë arsye ndarja e dividendës është në të njëjtën kohë një tregues pozitiv i rezultateve dhe synimeve të arritura të kompanisë”, tha Ejup Qerimi, Kryeshef Ekzekutiv i PTK-së.
Sipas tij, rezultate edhe më të mira financiare pritet të ketë deri në fund të vitit kur pritet lansimi i shërbimeve dhe ofertave të reja të PTK-së në prag të festave të fundvitit, me ç’rast do të ketë edhe një gjenerim gjithnjë e në rritje të tërë rrjetit operativ të VALA-s dhe Telekomit (TiK-ut). Në të njëjtën kohë, krahas performancës pozitive, PTK e sheh të nevojshme të investojë në teknologji të reja në mënyrë që të jetë konkurrente dhe të realizojë në përpikmëri planin e biznesit për periudhën 2012-2015.
Me këtë gjenerim të qëndrueshëm të fitimit edhe në pjesën e dytë të këtij viti, PTK synon që të arrijë ritme më të mëdha financiare sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke përmbushur objektivat e planifikuara sipas planit të biznesit dhe duke mbetur gjithnjë më afër konsumatorëve të saj. /Telegrafi/