Punëtorët kundërshtojnë privatizimin e KEK-ut e PTK-së
Me pankartat në duar “Kuvend ndal Privatizimin”, “Nuk duam të jemi qiraxhinjë në vendin tonë“ dhe “Nuk e japim PTK-së, është e vetmja pasuri e mbetur e popullit kosovar”, punëtorët e Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) dhe Korporatës Energjetike të Kosovës (PTK), kanë protestuar për gjysmë ore, për të kundërshtuar privatizimin e këtyre ndërmarrjeve.Milazim Alshiqi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të PTK-së tha se me anë të kësaj proteste, ata po kërkojnë që të ndalet kjo formë e privatizimit në Kosovë. Alshiqi kërkoi nga Kuvendi i Kosovës që të shqyrtojë privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe për momentin t’i thuhet stop privatizimit të PTK-së, pasi që nuk është plotësuar asnjë kusht për siguri të punëtorëve. “Edhe njëherë i bëj apel Qeverisë, deputetëve, ta thirrin mendjen dhe t’i thonë stop procesit të privatizimit, pa i definuar ligjin e posaçëm për privatizimin e kompanive publike”, tha Alshiqi.
Edhe Fehmi Pajziti, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Elektrokosovës tha se protesta ka për qëllim zgjimin e qeveritarëve, për të parë se si po bëhet privatizimi në Kosovë, i cili sipas tij, është tërësisht i dështuar. “Kërkojmë që së pari të bëhet ligj i veçantë për ndërmarrje publike, e pastaj të privatizohen ndërmarrjet publike. Të saktësohet çdo send, sepse privatizimi që është bërë deri tani është privatizim total i dështuar dhe një ekonomi e shkatërruar. Është edhe frika tek punëtorët se çka do të ndodh me ta nesër”, theksoi Pajaziti.
Sindikalistët po ashtu paralajmëruan se në rast se nuk përfillen kërkesat e tyre, ata do të vazhdojnë të protestojnë, por jo më vetëm në këtë formë, por në forma të ndryshme. /Telegrafi/