Punëtorëve të PTK-së u ulen pagat
Punëtorët e PTK-së kanë marrë lajme të këqija sot pasdite nga menaxhmenti i Kompanisë. Përmes emailit zyrtar, secili punëtorë i PTK-së është njoftuar me koeficientin e ri të pagës. Shumica e punëtorëve janë zemëruar kur e kanë parë emailin nga menaxhmenti i cili ka bërë shkurtime drastike të pagave të larta që deri tani janë marrë nga punonjësit e shumtë të kompanisë më profitabile në vend. Në zyrën e PTK-së te Qafa në Prishtinë, u bë rrëmujë dhe zhurmë e madhe mes kolegëve duke protestuar për pagën e re që do ta marrin. Të inatosur në menaxhmetin për vendimin e sjell, ata bisedonin rreth mundësisë së protestimit, për të mos e pranuar këtë ulje pagash.
Punëtorë të PTK-së i kanë dërguar Portalit KosovaTimes.net informacione duke thënë se koeficientet e punëtorëve janë ulur deri në tri grada. “Shumica e kolegëve kanë marrë email përmes së cilit janë njoftuar për zbritjen e pagave, sipas koeficientit. Shumica e punëtorëve tani e tutje do të marrin paga më të ulëta, ndërsa ky vendim nuk i ka prekur vetëm disa qindra punëtorë”, ka treguar një punëtorë I PTK-së në kushte anonime.
Lajmin për nivelizimin e pagave në PTK e ka konfirmuar të premten për KosovaTimes edhe zëdhënësi i kësaj kompanie, Menduh Abazi.
Ai tha se modifikimi apo harmonizimi i pagave në PTK është bërë nga një grup ekspertësh që kanë punuar në realizimin e koeficientëve të ri, në përputhje me përvojën dhe përgatitjet profesionale të punëtorëve.
“Një numrit të punëtorëve ju kanë rritë pagat, por ka pasur edhe prej atyre të nivelit të mesëm që iu kanë ulur pagat. Me këtë nivelizim apo harmonizim, kemi arritur me i ul shpenzimet që ka kërkuar Ministria, por duke mos i dëmtuar të gjithë punëtorët”, ka thënë Abazi.
PTK numëron rreth 3400 punëtorë. Prej këtyre, vendimi për uljen e pagës i ka prekur më shumë se 1400 punëtorë, ndërsa pjesës tjetër, ose nuk iu ka ulur grada, ose iu ka rritur ajo. “Me këtë vendim për harmonizim të pagave, PTK deri në fund të vitit I kursen mbi 6 milionë euro”, tha Abazi. /Telegrafi/