Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin 2013
Qeveri e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt th hënën ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2013 në shumë prej 1.586 miliardë euro, dhe të njëjtin do ta procedojë për aprovim në Kuvendin e Kosovës. Kryeministrit Hashim Thaçi tha se përgatitja e buxhetit është bërë në pajtueshmëri të plotë me objektivat dhe prioritetet e Qeverisë.
“Aprovimi i këtij buxheti do të bëjë të mundur vazhdimin e financimit të shumë projekteve që janë më rëndësi të veçantë për ekonominë e vendit tonë. Sot kur të gjitha vendet e Eurozonës dhe ekonomitë regjionale po ballafaqohen me vështirësi serioze të natyrës fiskale dhe ekonomike, ekonomia jonë po vazhdon me ritmet e saja pozitive të rritjes dhe kështu do të vazhdohet edhe në vitet në vijim”, theksoi kryeministri Thaçi.
Ministri i Financave, Bedri Hamza ka bërë prezantimin e Projektbuxhetit për vitin 2013, i cili është rezultat diskutimeve të zhvilluara me të gjithë akterët e brendshëm institucionale dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Përgatitja e Projektbuxhetit 2013 është bërë brenda afateve dhe kornizës ligjore dhe ai është në përputhje me objektivat e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe qëndrueshmëri makrofiskale. Projektbuxheti 2013 ka marrë parasysh edhe rreziqet ndikimeve nga kriza aktuale në vendet e Eurozonës dhe në ekonomitë e vendeve tjera të rajonit.
"Buxheti për vitin 2013, planifikon të hyrat e përgjithshme vendore në vlerën prej 1.423 milionë euro, ndërsa shpenzimet kapin shifrën prej 1.586 milionë eurosh".
Po ashtu Qeveria, ka miratuar listën e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Agjencisë Kosovarë të Privatizimit dhe është informuar për punën e Komisionit për verifikimin dhe njohjen e statusit të dëshmorit, invalidit dhe veteranit të UÇK-së. /Telegrafi/