Qeveria s’di çfarë të bëjë me 560 milionë euro të privatizimit
Institucionet shtetërore ende nuk e dinë se si do të menaxhohet fondi i privatizimit pas përfundimit të procesit së pavarësisë së mbikëqyrur. Ky fond, që në total kap shifrën prej rreth 560 milionë eurove, ishte bërë mollë sherri ndërmjet Qeverisë dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare, në kohën kur ministër i Financave ishte Ahmet Shala. Ky i fundit pati kërkuar nga Pieter Feith mundësinë për shpenzim të këtij fondi varësisht prej kërkesave të Qeverisë, përderisa ishte kundërshtuar nga Feith. Përfaqësuesit e institucioneve qeveritare e kanë larguar përgjegjësinë nga vetja për mënyrën e menaxhimit të këtij fondi.
Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ylli Kaloshi, ka theksuar se në fondet e mirëbesimit aktualisht janë rreth 560 milionë euro, duke përjashtuar shumën prej 29 milionë eurove që janë bartur në buxhetin e Kosovës nga procesi i likuidimit të 65 ndërmarrjeve shoqërore, si dhe mbi 60 milionë eurove të 20-përqindëshit të shpërndara të punëtorëve pas shitjes së ndërmarrjeve shoqërore. “Me vendim të Bordit të drejtorëve dhe pas shpërndarjes së mjeteve të një ndërmarrjeje 20-përqindëshit për punëtorët dhe 80-përqindëshit për kreditorët e mundshëm të ndërmarrjeve, sipas Ligjit të AKP-së, mjetet e mbetura barten në Buxhetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kaloshi.
Por asnjëri nga përfaqësuesit e institucioneve nuk e kanë bërë të ditur përqindjen apo vlerën e shpenzimit vjetor të këtyre mjeteve që kapin vlerën e gjysmës së buxhetit vjetor të Kosovës, shkruan Koha Ditore.
Derisa mjetet gjenden në procedurë, sipas Ligjit të AKP-së, është vetë agjencia ajo që vendos për fondet që janë nën juridiksionin e saj në mirëbesim për dobi të kreditorëve dhe pronarëve përkatës.
Nga AKP-ja është bërë e ditur se një pjesë e fondit të privatizimit do të shfrytëzohet për blerjen e letrave me vlerë të Qeverisë, nëpërmjet Bankës Qendrore. Ndërkohë, pjesa e tjetër e mbetur do të derdhet në buxhet. Në bazë të marrëveshjes së fundit të lidhur ndërmjet FMN-së dhe Qeverisë, kjo e fundit obligohet që brenda një periudhe prej pesë vjetëve të shpenzojë vetëm nga 5 për qind të mjeteve nga fondi i privatizimit, ndërsa pjesën tjetër ta ruajë për kreditorët dhe ndarjen e 20-përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore. /Telegrafi/