Raporti i “mizërisë” dhe (keq)kuptimi i raportit

0:48 / 27.02.2013

Të them të drejtën nuk isha aspak i interesuar të mirrem në analizë të një raporti të tillë, mirëpo isha i befasuar, pak edhe i shokuar sesi ekspertët e ekonomisë në Kosovë nuk lanë “gurë” pa lëvizur nëpër gazeta e nëpër rrjete sociale për të komentuar këtë raport në atë mënyrë që sinqerisht thyen padrejtësisht shpresat e qytetarëve të Kosovës për një jetë më të mirë në të ardhmen.

Për hir të korrektësisë le të shpjegojmë me pak fjalë se çka është ky raport dhe çka merr për bazë për të renditur vendet në këtë listë. Pra raporti bazohet në një teori, po e theksoj është një teori, e cila quhet teoria “krude” e treguesit ekonomik. Pra flasim për një teori aspak të rafinuar që merr për bazë papunësinë plus inflacionin. Ekonomisti Arthur Okun pra kishte si ide këtë teori që thoshte se rritja e papunësisë dhe inflacionit krijon një kosto shoqërore për vendin.

Indeksi i mizërisë = papunësia + inflacioni.

Ky raport ishte publikuar nga “Business Insider” në qershor të vitit të kaluar. Iu deshën tetë muaj ekspertëve kosovarë për ta kuptuar që Kosova po jeton në mizëri! Sa “gjynah” që nuk e kemi marr vesh tetë muaj më herët! Unë sinqerisht nuk kam dyshim që ekspertet kosovarë nuk e kanë kuptuar raportin, mirëpo sinqerisht kam dyshim në etikën e tyre profesionale. Të jesh ekspert dhe të punosh për një subjekt politik, po më jep të kuptoj që ia bën qejfin liderit të partisë për të provuar një dëmtim të një partie tjetër, pa të brejtur aspak ndërgjegjja që mendimi i një eksperti prek ndjenjat dhe shpresat e një populli.

Të marrim pak shembuj konkretë për të kuptuar këtë indeks “krude” të ekonomisë. Si qenka e mundur që Greqia momentalisht me kaq shumë probleme ekonomike të jetë në vendin e 50, d.m.th. larg mizërisë?! Shumë thjeshtë, ky indeks nuk e prek Greqinë, papunësia nuk është aq e lartë, ndërsa inflacioni po ashtu është i ultë, thjeshtë për faktin që njerëzit nuk kanë para për konsum, punojnë, por paguajnë tatime më të larta, paguajnë borxhe, thjesht nuk ka mjete monetare në treg për të ndikuar në rritjen e inflacionit. Mirëpo realisht jeta e tyre momentalisht është një mizëri e vërtetë.

Në anën tjetër të dhënat i referohen ‘CIA Factbook’ dhe nëse i shikon shtetet një nga një, atëherë çdo person edhe pa qenë ekonomist mund të kuptojë se në cilin vend do të mund të radhitej Kosova. Po marr si shembull Burundin, ku situata ekonomike është vertet e keqe, indeksi i mizërisë në raportin e qershorit nuk e ka futur në top 10! Ndërsa vetëm 2% e popullatës kanë rrymë elektrike në shtëpi, papunësia as nuk është e matshme (sipas CIA Factbook është N/A % - not applicable – e pa definuar, ndërsa inflacioni 16 %, pra N/A% + 16% = 16, kështu që Burundi mbetet larë mizërisë sipas këtij indeksi.), popullsia nën pragun e varfërisë është 68%. A na qenka Burundi një vend më i mirë për jetë sesa Kosova? Përgjigjen do t’ua japin ekspertët e ekonomisë në Kosovë, kosovarëve.

Ndërsa Kosova konsiderohet me 45.3 % papunësi + 8.3% inflacion = 53.6, pra ky indeks e fut Kosovën menjëherë në top 10... Të sqarojmë pak se çka do të thotë inflacion në Kosovë; të gjithë ekspertët e dinë që Kosova nuk ka politikë monetare, Banka e Kosovës nuk “prodhon” EURO, thjesht institucionet kosovare nuk kanë ndikim në rritjen e inflacionit në Kosovë, krejtësisht varet nga zhvleftësimi i EURO-s në tregun regjional dhe më gjerë. Inflacioni në Kosovë ka vetëm një shpjegim dhe atë pozitiv, thjeshtë ka rritje të investimeve kapitale, rritje pagash, rritje e fuqisë blerëse në treg. Në CIA Factbook PPP (Purchase Power Parity – Pariteti i Fuqisë Blerëse për Kosovën është 13.56 miliardë dollarë që për situatën aktuale tregon një ekonomi në lëvizje.

Natyrisht Kosova ka shumë për të bërë dhe si ekonomist e pranoj që nuk qëndron mirë ekonomia kosovare, ka nevojë të kemi politika ekonomike për zvogëlim të shkallës së papunësisë dhe disa ndryshime tjera në menaxhimin e resurseve njerëzore dhe natyrore.

Kur themi që është keq, nuk është edhe shumë keq, se ka edhe më keq. Kur themi që është mirë, nuk është edhe shumë, se ka edhe më mirë. Si ekspertë, kisha bërë thirrje ta kursejmë popullin nga informatat jo reale, apo thjeshtë të mos interpretojmë diçka që nuk përkon me realitetin.

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.