Rezervat e para shtetërore në tetor
Rezervat e para shtetërore pritet që të formohen deri në fund të muajit tetor. Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Arta Istrefi tha se gjatë javës së ardhshme bëhet shpallja e tenderit për deponimin e produktit të rezervës (grurit).“Me miratimin e tri Vendimeve nga ana e Qeverisë që e rregullojnë fushën e Rezervave Shtetërore të Mallrave janë krijuar kushtet për zhvillimin e procedurave tenderuese për deponim dhe furnizim me produkte të rezervës. Departamenti i Rezervave Shtetërore ka përgatitur të gjithë materialin për inicimin e procedurave tenderuese por jemi në pritje të nënshkrimit dhe protokollimit të Vendimeve nga ana e zyrtarëve të Qeverisë sepse është i nevojshëm numri i vendimeve, gjithsesi kjo ka për të ndodhur shpejtë”, ka pohuar Istrefi, për gazetën Tribuna Shqiptare.
Ajo ka njoftuar se produkti i parë si rezervë shtetërore do të jetë gruri si artikull më strategjik. /Telegrafi/