Rritet ekonomia e Gjermanisë
Ekonomia gjermane ka regjistruar një rritje me 0.3 për qind gjatë tremujorit të dytë të vitit 2012, sipas vlerësimeve të para të publikuara të martën nga Zyra Federale Gjermane Statistike (Destatis). Ky nivel është më i mirë se parashikimet e analistëve, por që tregon një ngadalësim pas rritjes me 0.5 për qind gjatë tremujorit të parë të vitit.Analistët, sipas agjencisë ''Dow Jones Newswires'', ishin shprehur më parë për një rritje prej 0.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për tremujorin e dytë të 2012. “Kjo e fundit pati një përmirësim si pasojë e shtimit të eksporteve, që u rritën shumë më shpejt se importet'', njoftonte instituti ''Destatis''.
Progresi i konsumit familjar në Gjermani, si edhe i shpenzimeve publike, po ashtu ka ndikuar në rritjen e PBB-së, fakt që mundëson një kompensim të rënies së investimeve, e konstatuar kjo në veçanti për sa i takon sektorit të pajisjeve elektroshtëpiake.
Në tremujorin e parë, rritja e PBB-së në Gjermani pati një nivel prej 0.5 për qind, pas një rënieje prej 0.1 për qind, gjatë tremujorit të fundit të vitit 2011.
Në ritme vjetore, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2011, PBB-ja gjermane ka një progres prej 0,5 për qind gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, sipas këtyre vlerësimeve, dhe prej 1 për qind, sipas të dhënave të korrigjuara të variacioneve sezonale.
Me një rritje ''të moderuar", sipas deklaratës së ''Destatis'', Gjermania po e përballon situatën shumë më mirë se një pjesë e konsiderueshme e partnerëve të saj evropianë.
Instituti Kombëtar i Statistikave dhe Studimeve Ekonomike të Francës, (Insee), po ashtu njoftoi se rritja e PBB-së ishte në nivelin 0 në Francë, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2012, krahasuar me atë paraardhës, sipas vlerësimeve të sipërpërmendura. /Telegrafi/