Secili konkurrent për PTK-në me probleme
Të gjithë pretendentët për blerjen e Postë -Telekomit të Kosovës kanë probleme në realizimin e këtij transakcioni. Derisa në javët e kaluara është diskutuar se për njërin prej këtyre blerësve të mundshëm ka dilema të krijimit të monopolit eventual në treg, tek të tjerët ka përçarje mes hisedarëve, mashtrime ndërmjet partnerëve të biznesit, dyshime për dhënie ryshfeti në këmbim të licencave për operim dhe dyshime nga Qeveria e Kosovës. Janë pesë konzorciume në garë në tenderin e shpallur nga qeveria e cila planifikon që gjatë dhjetorit të shpallë fituesin e privatizimit më të madh në vend.
Garuesit janë Albright Capital Management LLC me telekomin e Portugalisë, kompania turke "Turkcell", M1 International Limited nga Libani, konzorciumi i përbërë nga "Twelve Hornbeams" e "Avicena Capital LLC" si dhe konzorciumi i "Columbia Capital" dhe "ACP Axos Capital Gmbh". Njërës prej tyre pritet që Qeveria e Kosovës tia shesë 75 për qind të aksioneve të PTK-së.
Dy konferenca investitorësh ishin mbajtur në muajin maj për të bindur kompanitë e huaja për ta blerë ndërmarrjen profitabile. Njëra ishte mbajtur në perëndim, në Londër, e tjetra në lindje, në Stamboll. Samitet e mbajtura nga Qeveria e Kosovës kanë sjellë në garë kompanitë me kapital amerikan si "Albright Capital Management LLC" në bashkëpunim me Portugal Telecom si dhe Columbia Capital me bazë në SHBA në konsorcium me ACP Axos Capital Gmbh që është në bashkëpunim me British Telecom.
Po ashtu në garë janë konzorciumi i kryesuar nga Avicena Capital e biznesmenit Huseyin Gun që është në konzorcium me "Twelve Hornbeams" dhe, sipas MZHE-së bashkëpunon me "Sofrecom" që është pjesë e France Telekom.
Pjesë e garës është edhe M1 International Limited pjesë e M1 Group, një korporatë në pronësi të kryeministrit libanez Najib Mikati dhe vëllait të tij Taha Mikati.
Ndërkohë Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka dhënë përgjigje kur është pyetur se a e ka bërë verifikimin e historikut të konkurrentëve kur i ka parakualifikuar për të marrë pjesë në tender. Verifikimi i historikut kërkohet me Ligjin e Prokurimit Publik. Operatorët që kanë qenë të dënuar me një vendim gjykate apo që kanë drejtues të dënuar nga gjykatat nuk lejohen të ofertojnë në një tender publik bazuar në nenin 65 të këtij ligji që rregullon kërkesat për pranueshmërinë e kandidatëve.
Disa prej konkurrentëve janë në procedurë gjyqësore ku dyshohen për ryshfet e mashtrime ndërsa në garë ka edhe kompani që janë dënuar me vendime gjykate për shkelje të marrëveshje të aksionarëve. /GazetaJnK/Telegrafi/