Sejdi Hoxha, drejtor i Postës së Kosovës
Bordi i Drejtorëve të Postës së Kosovës, ka zgjedhur me vendim unanim të premten Kryeshef Ekzekutiv të Postës së Kosovës Sejdi Hoxhën.
Në komunikatën për media theksohet se kjo përzgjedhje është bërë si rezultat i konkursit publik të shpallur si dhe një procesi shumë transparent të udhëhequr nga Bordi i Drejtorëve të Postës së Kosovës dhe në përputhje të plotë me ligjet e aplikueshme mbi Ndërmarrjet Publike si dhe konform Statutit të Postës së Kosovës.
“Fillimisht Bordi i Drejtorëve të Postës së Kosovës, ka përzgjedhur pesë (5) kandidatë në listën e ngushtë dhe pas intervistimit të tyre ka ardhur në përfundim se kandidati që mori më së shumti pikë për pozitën e Kryshefit Ekzekutiv është Sejdi Hoxha”.
Sejdi Hoxha, ka magjistruar në fushën e Komunikacionit në Universitetin e Prishtinës dhe vijon studimet e doktoratës në këtë Universitet. Ka një përvojë pune në menaxhment të lartë konform kritereve të konkursit publik. /Telegrafi/